Lajme

Lirohen nga akuzat ish-aktivistët dhe aktivistët e VV-së për sulmin në Kuvend


Seanca ndaj të akuzuarve për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka liruar të akuzuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.

Ky vendim vjen pasi Gjykata nuk ka arritur t’i vërtetojë dyshimet për të dyshuarit në lidhje me akuzat për terrorizëm ndaj asnjërit prej të përmendurve.

Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Sulmi në Kuvendin e Kosovës.

Në dhjetor të 2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre.

Në njërën nga seancat e kaluara ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Të akuzuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës mbrohen në heshtje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore