Lajme

Lirohen dy kosovarë nga spitali në Kroaci


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se janë liruar nga spitali i Kroacisë edhe dy bashkatdhetarë që pësuan lëndime gjatë aksidentit tragjik të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë, kurse tre të tjerë do të lirohen të enjten.

“Përderisa gjatë tërë ditës ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të aksidentit në Sllavonski Brod, të cilët u sollën sot dhe po varrosen në vendlindjet e tyre, lajme të mira vijnë nga Kroacia. Dy bashkëkombës u liruan nga spitali e tre lirohen nesër kurse edhe Muharremi ka dal nga kujdesi intensiv dhe është në gjendje stabile”, ka shkruar Sveçla.

“Gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt, e familjarëve të viktimave forcë për ta përballuar dhimbjen”.

Ndërkaq të mërkurën në mesditë kanë arritur në Kosovë trupat e pajetë të 10 kosovarëve që mbetën të vdekur pasi autobusi me të cilin po udhëtonin u aksidentua në Kroaci të dielën e 25 korrikut.

Trupat e tyre arritën në vendlindje pas tri ditësh nën përcjelljen e policisë. Viktimat, iu dorëzuan familjarëve për lamtumirën e fundit dhe ceremoninë e varrimit.

Ndërkaq shoferit të autobusit të aksidentuar, i është caktuar një muaj paraburgim nga gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut të Slavonski Brod.

Sipas zyrës së Avokatit të Shtetit të Kroacisë, ai ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar autobusin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore