Lajme

Lirohen 279 nxënëse të marra peng në Nigeri


279 nxënëse nigeriane të rrëmbyera nga shkolla e tyre në shtetin veri-perëndimor të Zamfara-s, javën e kaluar, janë liruar. Ato gjendën në mjediset qeveritare, ka thënë guvernatori i shtetit, Bello Matawalle.

“Më gëzon zemrën t’ju bëj me dije lirimin e studenteve të rrëmbyera të GGSS Jangebe”, shkroi në Twitter, Matawalle.

“Vajzat tona janë tani të sigurta.”

Qindra vajza janë parë në ambientet e qeverisë, në pritje të ribashkimit me familjet e tyre.

Zyrtarët qeveritarë kishin qenë në bisedime me rrëmbyesit, të njohur si banditë, pas sulmit të tretë në Nigeri në më pak se tre muaj.

Zyrtarët shtetërorë në Zamfara-s, kanë nënshkruar me banditët një “marrëveshje paqësore” të diskutueshme.

Ata kanë ofruar para dhe amnesti me disa nga grupet e banditëve që kanë terrorizuar pjesën më të madhe të Nigerisë veriore dhe qendrore në vitet e fundit.

Një burim i tha Agence France-Presse se “banditët e penduar” ishin përdorur për të kontaktuar me ish-shokët e tyre si pjesë e përpjekjeve për të liruar studentet.

Bandat kriminale në Nigeri

Bandat kriminale të armatosura rëndë në veri-perëndim dhe Nigerinë qendrore kanë shtuar sulmet në vitet e fundit. Ata kanë kryer rrëmbime, përdhunime dhe plaçkitje, duke shfrytëzuar mungesën e sigurisë rurale.

Aktivitetet kriminale kanë vazhduar pavarësisht disa sulmeve të forcave ajrore dhe operacioneve të ushtrisë.

Javën e kaluar, disa persona të armatosur, të paidentifikuar, vranë një student në një sulm brenda natës. Ata gjithashtu rrëmbyen 42 persona, përfshirë 27 studentë. Pengjet ende nuk janë liruar.

Në dhjetor, më shumë se 300 djem u rrëmbyen nga një shkollë në Kankara, në shtetin e lindjes së presidentit, Muhammadu Buhari, ndërsa ai ishte duke vizituar rajonin.

Autoritetet kanë mohuar të paguajnë ndonjë shpërblim për të liruar të rrëmbyerit. Ekspertët e sigurisë kanë frikë se kjo do të çojë në një rritje të rrëmbimeve në këto rajone të rrënuara nga varfëria ekstreme.

Rrëmbimi për shpërblim në vendin më të populluar të Afrikës është një problem i përhapur. Biznesmenë, zyrtarë dhe qytetarë të zakonshëm janë rrëmbyer nga kriminelët që kërkojnë para shpërblimi.

Të paktën 11 milionë dollarë u janë paguar rrëmbyesve midis janarit të 2016 dhe marsit të 2020, sipas SB Morgen, një kompani kërkimore gjeopolitike me bazë në Lagos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore