Shqipëria

Liria e medias/ Shqipëria ngjitet me një vend në renditje


Në raportin e fundit nga Organizata Botërore Reporterët pa Kufij, për vitin 2021, Shqipëria është ngjitur me një vend në renditje, duke rënë me 0.34 pikë në indeksin e rrezikshmërisë.

Në raport, theksohet fakti se qeveria rriti presionin mbi median në vitin 2020, duke cituar ligjin e ri antishpifje, i cili u diskutua gjatë në komisionet kuvendore dhe Parlament.

Gjithë raporti mbi Shqipërinë në fakt, fokusohet në këtë spektër.

Për sa u përket vendeve të rajonit, tre janë ato të renditura më mirë se Shqipëria: Bosnja dhe Hercegovina, Greqia dhe Kosova.

Përkatësisht, boshnjakët janë të renditur në vendin e 58-të. Pavarësisht kësaj, në raportin për Bosnjën, theksohet fakti se klima e polarizuar politike dhe retorika nacionaliste, kanë krijuar një mjedis të vështirë për median.

Greqia renditet e 70-ta, por ka një rënie me pesë vende. Kosova, nga ana tjetër, renditet e 78-ta. Por, një rënie me tetë vende këtë vit, bie në sy për ta.

Sipas raportit, “media, ashtu si çdo gjë tjetër në vend, mbetet e ndarë në linjat etnike”.

Më poshtë në renditje, është Maqedonia e Veriut, e cila renditet në vendin e 90-të. Maqedonasit janë dy vende më lart se vitin e shkuar.

Serbia ndërkaq, nuk ka ndryshim nga viti i kaluar dhe renditet në vendin e 93-të.

Akoma më poshtë është Mali i Zi, i renditur i 104-ti. Ballkanin e mbyll Bullgaria, me vendin e 112-të në renditje. Akte dhune dhe intimidimi janë regjistruar atje.

Në botë, renditjen më të mirë e mbajnë vendet skandinave, me katërshen e parë të pa ndryshuar nga viti i kaluar.

Vendet e Bashkimit Evropian janë rreth vendeve të 10-a. Renditjen e mbyllin disa vende të Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Kina me Korenë e Veriut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore