Lajme

Lipa pas zhvendosjes së festivalit Sunny Hill në Tiranë: E gjetëm veten peng të politikbërjës


Themeluesi i Sunny Hill Festival në Prishtinë, Dukagjin Lipa dhe Dua Lipa.

Pas konfirmimit që Sunny Hill Festival do të mbahet në Tiranë, themeluesi dhe organizatori i këtij festivali Dukagjin Lipa përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka publikuar letrën të cilën ua ka dërguar krerëve të shtetit për anulimin e edicionit të tretë të festivalit më të madh muzikor në vend.

Ai ka thënë se pavarësisht përpjekjeve e ka gjetur edhe festivalin si “peng të politikbërjes” në Kosovë.

“Pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme prap e gjetëm veten peng i politikbërjës në kurriz të festivalit dhe të rinjëve të Kosovës”.

“Vendimi ishte i vështire por i domosdoshëm”, ka shkruar Lipa.

Ai tutje iu është drejtuar krerëve institucional duke iu thënë se kanë tejkaluar të gjitha afatet ligjore.

“Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë”.

Ai është shprehur se kërkesa e ngjashme si në vitet paraprake këtë vit është shndërruar në betejë politike.

“Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshi edhe efektin direkt dhe zingjiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë”.

Sunny Hill Festival.

Lipa, ka sqaruar se i gjithë festivali ka qenë edhe në interes të Prishtinës.

“Në letrën dërguar tek MAPL, Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”.

Ndërsa për hapësirën të cilën e kanë siguruar në Prishtinë, bëri të ditur se e gjitha do të ishte kujdesur nga organizata Sunny Hill.

“Meqë Prishtina nuk e ka një hapësire të tillë, ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e pa përdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikqyrjen e organizatës Sunny Hill”.

Si organizator i këtij festivali ai ka kujtuar edhe relevancën e këtij eventi.

“Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit  është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë”.

“Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës”.

Ai shpreson që betejat politike që qojnë në humbjen e organizimeve të tilla herët apo vonë të përfundojnë.

“Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë”.

Ndyrshe 17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme, ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 për, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e Kuvendit Komunal ishte votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore