Bota

LinkedIn: Punonjësit po largohen nga Mbretëria e Bashkuar drejt BE-së


Platforma e lidhjeve profesionale virtuale, LinkedIn, bëri me dije se duke vëzhguar bazën e të dhënave me përdoruesit e platformës, vihet re një trend i kalimit të punonjësve nga Mbretëria e Bashkuar (MB) në Bashkimin Evropian (BE).

Pandemia ka patur ndikim të fortë në tregjet e punës. Në vitin e fundit, aksi BE-MB ka parë më shumë largime se sa prurje në vendin ishullor.

Eksodi i madh nga Britania ka ardhur kryesisht në muajt e parë të vitit 2021. Megjithatë, numrat e migracionit të përgjithshëm qëndrojnë në favor të Britanisë, pas akumulimeve të punëtorëve nga BE-ja në vitet e shkuara.

Gjetjet nga studimi i LinkedIn-it, tregojnë për një ndryshim në strukturën britanike të punësimit, e cila mund të sjellë pasoja edhe në rimëkëmbjen ekonomike. 

“Trendi është duke u përshpejtuar”, thotë Mariano Mamertino, ekonomist në LinkedIn. “Ne vërejmë dy trende kryesore: ikjen e punëtorëve nga Britania në BE, dhe rritjen e emigrantëve nga vënde të treta për të punuar në Britani”, shpjegoi ai.

Të dhënat hedhin dritë mbi forcën e punës në Mbretërinë e Bashkuar, teksa vendi po nis të rimëkëmbet nga reçensioni më i madh i tre shekujve të fundit. 

Vlerësimet për zgjerimin dhe produktivitetin e një ekonomie, nisin pikërisht nga përcaktimi i popullsisë dhe trendeve të lidhura me të. Pandemia dhe Brexit-i kanë qënë dy faktorë që e kanë turbulluar situatën me lëvizjet migratore.

Vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja në vitin 2016, e solli emigracionin në qëndër të vëmendjes. Kryeministri Boris Johnson fitoi zgjedhjet e vitit 2019 me premtimin se do të rikthehej kontrolli mbi emigracionin në vend, përkundër politikave me dyer të hapura të BE-së.

Tani, pas shtrëngimit të politikave të emigracionit, por edhe mbylljeve të njëpasnjëshme të ekonomisë, ekspertët vënë në dyshim nëse Mbretëria e Bashkuar do të ketë mjaftueshëm forcë punëtore për rimëkëmbjen ekonomike.

Përfundimet e LinkedIn janë në vazhdën e diskutimeve për temën e emigracionit në ishull. Ekonomistët përllogarisin rreth një milion punonjës të larguar në vitin 2020. Të dhënat zyrtare nga ana tjetër, tregojnë për më pak se 180.000 të larguar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore