Zgjedhjet në Kosovë

Limaj: Kosova nuk pranon të qeveriset nga vetëm një parti


Pushteti absolut sjellë degjenerim absolut dhe kjo rrezikon t’i ndodhë Kosovës, nëse në zgjedhjet e 14 shkurtit një parti fiton shumicën parlamentare, ka thënë kryetari i Nismës Socialdemokrat, Fatmir Limaj.

Si shembull se diçka e tillë mund të ndodhë, Limaj ka përmendur Serbinë dhe pushtetin që tash ka atje presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Shikoni çfarë po ndodhë në Serbi”, ka pohuar Limaj. “A ka pushtet absolut Vuçiç në Serbi?”, ka pyetur duke u vetëpërgjigjur.

Komentet e Limajt erdhën pasi të mërkurën u pyet për potencialitetin që Lëvizja Vetëvendosje ka për të fituar mbi 50 për qind të votës në Kosovë.

“Duhet pasur kujdes, sepse nga pushteti absolut, degjenerimi absolut vjen. Ky vend nuk e ka luksin dhe pjekurinë e mjaftueshme institucionale e politike që të qeveriset nga një parti politike pa një degjenerim masiv”, tha Limaj.

Meqë një demokraci e re dhe ende e pakonsoliduar, Kosova ka pasur probleme edhe “me dy e tri parti politike”.

“Merre me mend me pushtet absolut çka mund t’i ndodhë këtij vendi”.

Sondazhi i fundit i Albanian Post në bashkëpunim me Institutin “Gani Bobi” e nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve me 51.3 për qind, por Limaj nuk i beson këto shifra.

“Kosova nuk pranon kurrë të qeveriset nga një parti politike”, e thotë me bindje ai.

“Kosova nuk do ta lejonte atë rrezik që një parti politike të jetë e vetëmjaftueshme për të qeverisur”.

Fatmir Limaj, dikur njeriu i dytë i Partisë Demokratike, në këto zgjedhje garon i vetëm pa një koalicion.

Nisma Socialdemokrate, e krijuar pas ndarjes së PDK-së, rrezikon të mos e kaloi pragun këtë herë.

Sondazhi e tregon shumë poshtë, nën prag madje. Nisma, 10 ditë para zgjedhjeve, del 1.8 për qind.

Limaj kishte provuar shumë që të arrijë një koalicion parazgjedhor me PDK-në, për të formuar, siç e cilësonte ai, frontin patriotik.

Por, bashkimi nuk u arrit. PDK-ja nuk tregoi interesim. Tash Limaj ka filluar ta kritikojë Enver Hoxhajn, kandidatin e PDK-së, për kryeministër. “Hoxhaj ka qenë kundër UÇK-së”, deklaron Limaj.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore