Lajme

Ligjvënësit e Kanadasë i japin shtetësinë blogger-it saudit


Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në Kanada, vendosën t’i japin shtetësinë blogger-it saudit Raif Badawi. Ai u arrestua në Arabinë Saudite për shkrime në lidhje me fjalën e lirë dhe ‘fyerjen e Islamit’.

Badawi ka kryer nëntë vite burg ndërkohë që gruaja dhe tre fëmijët e tij jetojnë ne Kanada.

Propozimi, i cili u votua unanimisht të mërkuren i kërkon ministrit të Emigracionit të përdorë fuqinë e tij diskrete. Shtetësia kanadeze për Badawi-n, sipas ligjvënësve do të korrigjojë një situatë të pazakontë.

Badawi u arrestua në 2012-ën dhe u dënua me shtatë vite burg dhe 600 fshikullime. Më pas ai u dënua serish me 10 vite burg dhe një mijë goditje.

Ai mori 50 nga ato fshikullime në janar të 2015-ës, por pjesa tjetër e seancave, të cilat do të kryheshin çdo javë, u pezulluan pas një proteste.

Blogger-it iu dha çmimi i Sakharov nga Parlamenti Evropian. Ky është një çmim nderi për individë ose grupe, që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit.

Lajmi u mirëprit me gëzim nga gruaja e aktivistit të të drejtave të njeriut, Ensaf Haidar.

“Çfarë lajmi! Raif do të jetë kaq i lumtur! Kam shpresë”, shkroi ajo në Twitter, duke falënderuar ligjvënësit për kujtimin e çështjes së burrit të saj.

Gruaja dhe tre fëmijët e Badawi, të cilët jetojnë në Quebec, e kanë marrë shtetësinë kanadeze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore