Lajme

Ligji që duhet të miratohet urgjent – “vetëm kështu shpëtohet Policia e Kosovës”


Policia e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar pensionimin e parakohshëm për zyrtarët policorë.

Por, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, pohojnë se akoma nuk kanë parë se çka përfshin projektligji i propozuar nga kjo parti.

Në një bisedë për Albanian Post, kryetari i sindikatës Imer Zeqiri, thotë se përkrahje të tilla janë të nevojshme, mirëpo duhet të përshtaten duke u bazuar në punën e policisë.

“Çdo përkrahje që kemi, pavarësisht prej kujt vjen ajo, është e mirëseardhur, mirëpo pa e ditur çfarë ka në atë projektligj ne nuk mund të themi ‘po e përkrahim’, sepse pastaj mund të dal një ligj i cili neve nuk na përshtatet edhe mbetemi para aktit të kryer”, thotë Zeqiri.

Po, ai shton se një kërkesë e ngjashme – për pensionim të parakohshëm – nga ana e Policisë së Kosovës është bërë qysh herët.

“Kërkesa e Sindikatës së Policisë është e kahershme për ligjin e pensionimit, është ligji i pensionimit në moshën 50 vjeçare, edhe na jemi duke u përgatitur edhe me disa drafte të tjera edhe me ligj të policisë dhe si propozim është dërguar në ministri dhe ministria e ka përcjellur tutje edhe jemi në pritje të një përgjigje”.

Policia e Kosovës.

Zeqiri, sqaron se sindikatë e kanë shumë të nevojshëm pensionimin në moshën 55 vjeçare dhe kjo për shkak të tri arsyeve.

“Zyrtarët policorë aktualisht kur pensionohen dalin pa pension, po e them pa pension, sepse ata dalin me një pension të pleqërisë prej 100 euro që merr secili qytetarë që arrin moshën 65 vjeçare”.

“Mosha mesatare në Policinë e Kosovës, ka arritur bajagi një moshë, është diku 47 vjet mesatare dhe vërtetë ka nevojë për një rinim dhe freskim”.

“Cështja e tretë është se kur ke ligj të pensionimit është ndryshe, kur nuk ke ligj të pensionimit punon pa numërim të stazhit të punës pa asnjë benefit, në moshën 65 vjeçare në një farë forme je pothuajse sikur dikushn që nuk e ka dhënë asnjë kontribut”.

Se duhet një ligj i tillë për policinë, dhe atë urgjentisht, e thotë edhe njohësi i çështje të sigurisë, Drizan Shala.

“Situata brenda PK-së në lidhje me moshën, e cila është njëra nga problemet kryesore, po reflekton në operacionalitetin e këtij institucioni të sigurisë. Pensionimi i parakohshëm i pjesëtarëve do të kishte mundësuar që struktura e PK-së të rifreskohet dhe kështu do të garantohej qëndrueshmëria e operacionalitetit të policisë”, deklaron Shala për AP.

“Pensionimi duhet të merret si zgjedhje, për shembull ligji për FSK e ka të rregulluar në mënyrën më profesionale të mundshme. Shuma e pensionit duhet të jetë 70 për qind e shumës së pagës që ka marr 3 muajt e fundit brenda organizatës”.

Ndryshe, që nga viti 2004, edhe ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin fondet.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore