Shqipëria

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, ashpërsim masash


Në kuadrin e ri rregullator mbi mbrojtjen e të dhënave personale, i cili përbën një kontribut të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, janë parashikuar ashpërsime të masave sanksionuese në rast shkeljeje.

Këto masa, gjoba, mund të shkojnë deri në 2 miliardë e 460 milionë për ato shkelje që përfshijnë thyerje të rregullave bazë të të dhënave personale, të të drejtave të subjektit të të dhënave, të dispozitave mbi transferimin e të dhënave ndërkombëtare, të rregulloreve të të dhënave të ndjeshme apo të mosrespektimin të një urdhri të komisionerit.

Megjithatë, është qartësuar se rritja e dukshme e shumës së penalitetit që do të vendoset nga komisioneri, më shumë sesa gjobëvënien, ka në thelb synimin për të arritur një mbrojtje më të mirë.

Kjo është bërë e ditur gjatë një Webinar-i të zhvilluar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale lidhur me Projektin e Binjakëzimit që po zbatohet njëkohësisht në tre shtete, Shqipëri, Itali dhe Austri.

Nëpërmjet këtij projekti mundësohet që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga modernizimi i legjislacionit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përafrimin e standardeve me ato të Bashkimit Evropian.

Dhe ky përafrimi i kuadrit rregullator kombëtar me atë të BE-së – GDPR dhe Direktiva e Policisë – do të garantojë edhe forcimin e rolit të Zyrës së Komisionerit për t’iu përgjigjur më mirë sfidave e problematikave të cenimit të privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në takimin e mbajtur online është bërë me dije se legjislacioni i ardhshëm do t’ju mundësojë individëve që të kenë më shumë kontroll në procesin e përpunimit të të dhënave.

Risitë e kuadrit të ri ligjor

Për të qenë sa më pranë zhvillimeve të teknologjisë, kuadri i ri ligjor sjell disa risi, ndër të cilat evidentohen mënyrat e reja të dhënies së pëlqimit dhe e drejta për t’u harruar.

Për sa i përket dhënies së pëlqimit, ndryshimi kryesor, krahasuar me ligjin aktual, qëndron te forma. Nëse me ligjin aktual, forma e vetme e dhënies së pëlqimit është ajo me shkrim, me rregullimet e reja ky pëlqim mund të jepet edhe në forma të tjera.

Më konkretisht, mediave apo organizatave jo-fitimprurëse, u lind detyrimi për të vërtetuar pëlqimin e marrë mbi përpunimin e të dhënave personale të një subjekti dhe gjithashtu duhet të vërtetojnë se ky pëlqim është marrë në përmbushje të kushteve të marrjes së tij.

Nga ana tjetër, është edhe e drejta për t’u harruar. Subjekti i të dhënës përfiton të drejtën për të kërkuar çregjistrim të një informacioni delikat për të.

Për shembull, në rastin kur kjo e dhënë posedohet nga një media, subjekti mund të kërkojë heqjen e saj jo nga arkivat e brendshme të medias, por nga motori i kërkimit.

Parimet udhëheqëse

Një rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe koncepteve bazë të sistemit të ri të propozuar rregullator. Ato kanë të bëjnë me llogaridhënien dhe transparencën.

Folësit në Webinar kanë sqaruar se rregullimet e reja nuk kanë të bëjnë me hyrjen në një sistem plotësisht të ri të mbrojtjes së të dhënave në Shqipëri, por vetëm me shtesa dhe detaje të reja në ligjin aktual.

Kjo për të zgjeruar të drejtat e subjektit të të dhënave dhe për të qartësuar detyrat e kontrollorëve dhe përpunuesve.

Në këtë drejtim, fokusi është vënë te kontrolluesi, i cili është edhe aktori kryesor në fushën e mbrojtjes së të dhënave.

Mirëpo, disa nga përgjegjësitë që ai mbart, sidomos ato të karakterit burokratik, kanë pësuar disa ndryshime.

Ai duhet të bëjë bashkë konceptin e llogaridhënies, çka lidhet me vlerësimin dhe përkthimin e parimeve në masa që duhet të jenë në përpjesëtim me llojin e të dhënave apo qëllimin e tyre, me konceptin e përputhshmërisë dhe atë të aftësisë për të treguar se kjo është e plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore