Lajme

Ligji i ri irlandez i birësimit, 900 të regjistruar për gjetjen e prindërve dhe fëmijëve


Një 81-vjeçar i birësuar në vogëli dhe një nënë 74-vjeçare që ka dhënë fëmijën për birësim, janë ndër 900 personat që janë regjistruar për të gjurmuar prindërit ose fëmijët e tyre pas miratimit të legjislacionit historik në Irlandë.

Përgjigja publike ndaj ligjeve të reja, të cilat hynë në fuqi më 1 korrik, po hap plagë dekadash për fëmijët dhe prindërit që u ndanë në lindje gjatë 100 viteve të fundit.

Të publikuara nga Autoriteti i Birësimit të Irlandës, të dhënat tregojnë se shumë prej tyre kanë jetuar deri në moshën madhore pa e ditur se cilët janë prindërit e tyre të lindjes.

Kjo pasqyron presionin mbi nënat e pamartuara në Irlandën Katolike për t’i dhënë foshnjat e tyre për birësim, por që vazhduan të kishin më shumë fëmijë më vonë.

Por ka edhe nga ata persona që po kërkojnë të gjejnë kontaktet me një gjysh, kushëri, teze ose xhaxha.

81-vjeçari që kërkon të dhënat e lindjes së tij është adoptuar jo-formalisht, pasi birësimi nuk ishte i ligjshëm deri në vitin 1953, duke paraqitur një sfidë për këdo që kërkonte prindërit e lindjes përpara legjislacionit të ri.

Ligjet, të cilat hynë në fuqi muajin e kaluar, u sigurojnë të gjithë të adoptuarve të drejtën ligjore për akses të plotë dhe të pakufizuar në certifikatën e tyre të lindjes.

AAI, muajin e kaluar nisi një fushatë ndërgjegjësimi për të arritur të birësuarit e rritur që u pranuan në familje në MB, SHBA dhe gjetkë.

Sipas autoritetit, shumica e 891 personave që ishin regjistruar në muajin e parë të miratimit të ligjeve ishin nga Irlanda. Më shumë se 100 nga jashtë, 40 prej tyre nga Britania e Madhe, 17 nga SHBA-të dhe katër nga Australia.

Akti i Informacionit të Lindjes dhe Gjurmimit i lejon të adoptuarit ose të afërmit të regjistrojnë preferencën e tyre për kontakt me një prind të fëmijës deri në tetor, kur procesi i gjurmimit mund të fillojë ligjërisht.

Në tetor ata mund të aplikojnë për të marrë të dhënat.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore