Sport

Liga e Konferencës/ Laçi dhe Vllaznia me misionin e vështirë të përmbysjes


Laçi dhe Vllaznia do të luajnë të enjten fatet e tyre në ndeshjet e kthimit në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës. Në ndeshjet e para, të dyja skuadrat shqiptare kanë dalë humbëse.

Kurbinasit do të përballen me Podgorica-n, skuadra nga kryeqyteti malazez. Në takimin e parë fitoi Podgorica me rezultatin e ngushtë 1-0.

Laçi do të ketë misionin e përmbysjes së rezultatit në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 20:00.

Ndeshja tjetër, ajo mes Vllaznisë dhe skuadrës nga Bosnje dhe Hercegovina, NK Siroki Brijeg do të luhet duke filluar nga ora 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Mision pak më i vështirë i Vllaznisë për përmbysjen, pasi i duhet minimalisht avantazhi me dy gola, për të barazuar rezultatin e përgjithshëm, duke qenë se në ndeshjen e parë humbi në shifrat 3-1.

Ndeshja e parë mes Vllaznisë dhe NK Siroki Brijeg-ut, në shtëpinë e kësaj të fundit ishte një ndeshje që nga klubi shkodran u cilësua si “makabritet” nga arbitri Aleksei Matyunin-i. Rusi vendosi 11 kartonë të verdhë dhe dy të kuq në dëm të Vllaznisë.

Partizani pritet ta ketë më të lehtë përballë FC Sfintul Gheorghe-s, pasi fituan ndeshjen e parë me rezultatin 5-2. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 19:00 në “Suruceni Stadium”.

Në të dyja ndeshjet në Shqipëri do të lejohet prania e tifozëve deri në masën e 30% të kapacitetit të stadiumit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore