Përballje

Liga e Kombeve/ Gjermania shkatërron Italinë, Anglia turpërohet nga Hungaria


Gjermania e ka deklasuar Italinë në ndeshjen e katërt të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur me rezultat të thellë, 5:2.

Sfida u zhbllokua që në minutën e 10-të, kur mesfushori i Bayern Munich-ut, Joshua Kimmich, kaloi në epërsi vendasit.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë, gjermanët gjetën edhe golin e dytë me anë të Ilkay Gundogan, i cili u tregua i saktë nga penalltia.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të gjermanëve, derisa në 45 minutat e dyta ata ishin të papërmbajtshëm.

Thomas Muller trefishoi rezultatin gjashtë minuta pasi filloi fraksioni i dytë, ndërsa Timo Werner shënoi dy gola të shpejtë në minutën e 68-të dhe 69-të.

Krejt çka arriti Italia, ishte një gol i shënuar në minutën e 78-të, ku realizator ishte sulmuesi 18 vjeçar, Wilfried Gnonto.

Me këtë fitore, Gjermania mban vendin e dytë në grup me gjashtë pikë, ndërsa Italia është e treta me pesë pikë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Anglia është zhytur edhe më thellë, teksa u mposht për herë të dytë brenda pak ditëve nga Hungaria.

Kombëtarja e “tre luanëve” kësaj radhe pësoi në shtëpi me shifrat 0:4, rezultat ky i cili ia pamundëson kualifikimin në fazën tjetër të Nations Leauge.

Sfida u zhbllokua në minutën e 16-ë, kur sulmuesi i Freiburg-ut, Roland Sallai, kaloi hungarezët në epërsi.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të mysafirëve, teksa në të dytën ata befasuan duke shënuar edhe dy gola të tjerë.

Sallai shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje në minutën e 70-të, derisa Hungaria arriti të realizojë edhe dy herë tjera – Zsolt Nagy në minutën e 80-të dhe rezultatin përfundimtar e vulosi Daniel Gazdag krejt në fund të ndeshjes.

Me këtë humbje Anglia mbetet në vendin e fundit në grup me vetëm dy pikë, ndërsa Hungaria gjendet në vendin e parë me shtatë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore