Përballje

Liga e Kombeve/ Gjermania dhe Anglia ndajnë pikët, Italia mposht Hungarinë


Klasikja evropiane mes Gjermanisë dhe Anglisë nuk solli fitues, e cila u mbyll me rezultat 1:1, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Kombeve në Ligën A.

Gjermanët në përgjithësi ishin më të mirë në këtë takim, të cilët arritën ta zhbllokojnë rezultatin në pjesën e parë, mirëpo goli o Jonas Hofmann u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa në fillim të pjesës së dytë doli përsëri në skenë Hofmann, i cili mposhti Jordan Pickford-in në minutën e 50-të.

Pas këtij goli, gjermanët patën disa mundësi të mira për ta dyfishuar epërsinë, por nuk u treguan të saktë para portës.

Dhe, kur u mendua se pikët e plota do të mbesin në Gjermani, gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti pas konsultimit me sistemin VAR, të cilën e konkretizoi në gol Harry Kane në minutën e 88-të.

Pas këtij barazimi, Anglia mbetet në vendin e fundit të Grupit 3 me vetëm një pikë, ndërsa një pikë më shumë ka Gjermania në vendin e tretë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Italia e mposhti Hungarinë me rezultat 2:1.

Nicolo Barella në minutën e 30-të kaloi në epërsi të kaltrit, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Lorenzo Pellegrini dyfishoi epërsinë.

Ndërsa shifrat u ngushtuan në minutën e 61-të, kur Gianluca Mancini shënoi në portën e tij, për rezultatin përfundimtar 2:1.

Italia vazhdon të jetë lider i grupit me katër pikë, ndërsa Hungaria pozicionohet para Gjermanisë dhe Anglisë me tre pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore