Përballje

Liga e Kampionëve/ Villarreal dhe Liverpool përballen në ndeshjen e dytë gjysmëfinale


Faza gjysmëfinale në garën më prestigjioze për klube në Evropë, Liga e Kampionëve, do të vazhdojë edhe këtë mesjavë, ku do të përcaktohen dy ekipet finaliste.

Sonte (e marte) do të mësohet emri në njërës skuadër që do të luajë në finalen e madhe në Paris më 27 maj, e njëra prej tyre do të jetë Villarreal-i apo Liverpool-i.

Pa dyshim që favorit është skuadra angleze e Liverpool-it që të kalojë tutje, pasi përveç kualitetit më të madh që kanë në skuadër, ata kanë fituar edhe ndeshjen e parë si vendas me rezultat 2:0.

Për më tepër, Villarreal-i pritet t’i ketë disa mungesa të rëndësishme për këtë ndeshje si Albert Moreno, Yeremi Pino, ndërsa në dyshime janë Gerard Moreno, Francis Coquelin, kurse nga radhët e skuadrës së Jurgen Klopp nuk do të paraqitet vetëm Roberto Firmino.

Megjithatë edhe në rast të eliminimit të spanjollëve në mbrëmjen e sotme, paraqitja e tyre është për t’u admiruar, pasi që rrugës deri në gjysmëfinale ata eliminuan gjigandët evropianë si Juventus e Bayern Munich.

Sa i përket formës momentale, skuadra angleze po kalon momente shumë të mira, të cilët janë duke luftuar për titull kampion në Premier Ligën angleze, që i ndan vetëm një pikë me liderin aktual, Manchester City.

Derisa ata gjenden edhe në finalen e FA Cup, ku do të përballen me Chelsea-n më 14 maj.

Humbjen e fundit, skuadra e Jurgen Klopp e ka kundër Inter-it në fazën e 1/8-ve të finales në Ligën e Kampionëve, derisa kjo është humbja e vetme e tyre për vitin 2022.

Ndërsa Villarreal-i nuk po kalon momente aq të mira në La Liga-n spanjolle, të cilët në këtë takim udhëtojnë pas humbjes nga Alaves me rezultat 2:1.

Momentalisht skuadra e trajnerit Unai Emery ndodhet jashtë garës për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, të cilët pozicionohen në vendin e shtatë me 52 pikë.

Formacionet e mundshme:

Villarreal: Rulli, Estupinan, Torres, Albiol, Foyth, Danjuma, Capoue, Chukwueze, Los Celso, Moreno.

Liverpool: Alisson, Robertson, Van Dijk, Konate, Alexander-Arnold, Henderson, Fabinho, Thiago, Diaz, Salah, Mane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore