Sport

Liga e Kampionëve/ Të gjithë me një synim drejt titullit


Liga e Kampionëve për pjesën e mbetur të sezonit 2020/21, në raundin e 1/16, pritet të luhet në datat 16-17 shkurt dhe 23-24 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit do të jenë në datat 9-10 mars dhe 16-17 mars, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur si pasojë e pandemisë së Covid-19.

Të 16 ekipet kanë vetëm një synim, të shkojnë në finalen e madhe dhe të fitojnë trofeun. Finalja e këtij edicioni do të mbahet në 29 maj, në Stamboll të Turqisë në “Ataturk Olympic Stadium”.

Shorti ka rezervuar sfida interesante, ku 13 herë kampionët e Ligës së Kampionëve, Real Madrid-i do të përballet me italianët e Atalanta-s, që e kanë për të dytin vit radhazi që marrin pjesë në këtë raund.

Juventus-i do të ketë një sfidë të lehtë në letër përballë Porto-s. Dhe Manchester City i Pep Guardiola-s në letër ka një sfidë të lehtë përballë gjermanëve të Borussia Monchengladbach-ut.

Kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, Bayern Munich-u do të gjejë në këtë raund italianët e Lazio-s, për lacialët duket se shorti nuk ka qenë me shumë fat.

Jurgen Klopp me Liverpool-in do të përballet me bashkëkombasit e tij të RB Leipzig-ut, një ekip me talente që sezonin e kaluar arriti deri në gjysmë-finalen e Ligës së Kampionëve.

Gjermanët e tjerë të Borussia Dortmund-it do të përballen me spanjollët e Sevillia-s, me këta të fundit që sezonin e shkuar fituan Ligën e Europës.

Blutë e Londrës, Chelsea në këtë fazë do të gjejnë përballë Atletico Madrid-in e Diego Simeone-s. Djemtë e Cholo Simeone-s janë një kockë e fortë për çdo ekip me të cilin përballen.

Ajo që cilësohet si “qershia mbi tortë” është super ndeshja midis Barcelona-s dhe PSG-së. Ndeshje e cila Barcelona-n e gjenë në një moment jo fortë të mirë, ndërsa PSG-n do e gjejë me një trajner të ri. Por, pavarësisht formës aktuale të ekipeve, ndeshja premton spektakël, ashtu siç ndodhi edhe tre vite më parë.

Ishte pikërisht raundi i 1/16 i sezonit 2016/17 të Ligës së Kampionëve, ku Barcelona përballej me PSG-n. Ndeshja e parë e luajtur në Paris përfundonte me rezultatin 4-0 për vendasit, ndërsa ndeshja e kthimit në Barcelonë përfundoi me rezultatin 6-1 për Barcelona-n, çka bëri që parizienët të eleminoheshin edhe pse ndeshjen e parë e kishin fituar me diferencë të madhe golash.

Ndeshje të tilla janë tipike për Ligën e Kampionëve, që ndryshe nga shumica e tifozëve cilësohet edhe si “futbolli i burrave”, aty ku luhet futbolli i “vërtetë”, ku të gjithë janë të barabartë dhe askush nuk fal./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore