Përballje

Liga e Kampionëve/ Barcelona rikthehet te fitorja, Salzburg fiton tri pikët e radhës


Kanë përfunduar dy ndeshjet e orës 18:45, në xhiron e tretë të grupeve të Ligës së Kampionëve.

Barcelona ka arkëtuar tri pikët e para të këtij edicioni në Champions, duke mposhtur ukrainasit e Dinamo Kyiv me rezultat minimal 1:0.

Një ndeshje e administruar në përgjithësi nga spanjollët, por fitorja nuk ishte edhe aq e lehtë ndaj një kundërshtari “autsajder” në letër.

Goli i vetëm i sfidës, u realizua në minutën e 36-të, nga qendërmbrojtësi Gerard Pique, i cili mori një asistim perfekt nga Jordi Alba.

Pjesa e dytë u karakterizua me disa raste të mira të katalanasve, por edhe ukrainasit kishin disa mundësi për të barazuar rezultatin, mirëpo shifrat nuk ndryshuan deri në fund.

Me këtë fitore skuadra e Barcelonës zë vendin e tretë të Grupit E, me tri pikë, ndërsa Dinamo pozicionohet një vend më poshtë, me vetëm një pikë.

Kurse grupit i prinë Bayern Munich me gjashtë pikë, dy më shumë se Benfica e vendit të dytë, të cilët do të përballen sonte me fillim nga ora 21:00.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, austriakët e Salzburg kanë marrë fitoren e radhës, duke mposhtur në shtëpi gjermanët e Wolfsburg, me rezultat 3:1.

Ishte talenti gjerman, Karim Adeyemi, që realizoi golin e parë për Salzburg që në minutën e tretë, pastaj në të 15-tën Wolfsburg barazoi shifrat me anë të Lukas Nmecha.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:1, derisa në të dytën, austriakët shënojnë edhe dy gola të tjerë me anë të sulmuesit zviceran, Noah Okafor.

Të parin e realizoi në minutën e 65-të, derisa 12 minuta më vonë vulosi shifrat në 3:1, për një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Me këtë fitore, Salzburg përforcon vendin e parë, me shtatë pikë të grumbulluara, ndërsa Wolfsbug pozicionohet e treta me dy pikë.

Përveç tyre, në Grupin B gjenden edhe Lille e Sevilla, të cilët do të ballafaqohen mes tyre me fillim nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore