Shëndet

Lidhja e shqiptarëve me shëndetin oral


Kujdesi dentar dhe oral është një pjesë thelbësore e shëndetit dhe mirëqenies suaj të përgjithshme. Higjiena e dobët e gojës mund të çojë në zgavra të dhëmbëve dhe sëmundje të mishit të tyre. Po ashtu kjo problematikë lidhet dhe me sëmundjet e zemrës, kancerit e diabetit.

Mbajtja e dhëmbëve dhe mishrave të shëndetshëm është një angazhim i përjetshëm. Sa më herët të mësohen zakonet e përshtatshme të higjienës orale, aq më lehtë do të jetë të shmangni procedurat e kushtueshme dentare dhe çështjet shëndetësore afatgjata.

Ju nuk duhet të prisni derisa të keni simptoma për t’u vizituar. Vajtja te dentisti dy herë në vit, zakonisht do t’i lejojë ata të kapin një problem para se të vëreni ndonjë simptomë.

Albanian Post kontaktoi me disa prej klinikave dentare në vend, për të marrë më shumë informacion mbi kulturën orale në vendin tonë.

“Pjesa më e madhe e pacientëve e neglizhojnë kujdesin ndaj dhëmbëve. Ata nuk e marrin mundimin të paraqiten tek ne, deri në një dhimbje të madhe të tyre”, shprehet dentistja Bela Hysa.

Ndërsa opinioni i qytetarëve shqiptar pohon se kujdesi ndaj shëndetit oral nuk neglizhohet pasi janë të informuar mbi pasojat që mund të shkaktojë mungesa e higjienës së gojës.

“Po kujdesem, e di rëndësinë e të pasurit higjienë orale dhe sa e nevojshme është për ne. Mundohem rregullisht të bëj kontrolle”, thotë qytetarja Laura Hoxha.

Ajo që bie në sy janë çmimet. Ku për shumë pacientë në vendin tonë janë të larta. Ndërsa, nëse flasim për emigrantët, ata nuk e humbasin mundësinë për të bërë kontrolle, sa herë kthehen në Shqipëri. Kjo, sepse andej nga vinë, çmimet e kujdesit oral janë tepër të larta.

“Festat e fundvitit dhe sezoni i verës ka një fluks shumë të madh të pacientëve. Kjo për shkak të ardhjes së emigrantëve. Ata kanë një kulturë më të lartë për kujdesin oral”, shprehet dentisti Agim Përgegaj.

Ndërsa një shqiptare që jeton në Itali nuk nguron të pranojë për AP-në se kthehet rregullisht për vizita orale.

“Çdoherë që kthehem në Shqipëri, e kam të planifikuar vizitën te dentisti. Por më ndodh dhe të vi enkas për dhëmbët. Çmimet në Itali, janë shumë të larta në këtë sektor, ndaj gjej kohën herë pas here për t’u vizituar këtu”, shprehet Davida Prendi.

Ndaj është e rëndësishme të ndiqen këshillat e specialistëve të fushës, për të qenë sa më të sigurte në parandalimin dhe kurimin e kujdesit dentar dhe jo vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore