Lajme

“Lideri suprem”, fluturon me dron mbi Prishtinë”


Një dron me fotografinë e kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtit, sipër së cilës shkruhet “lideri suprem”, është lëshuar derisa Kurti po mbante fjalim në tubimin përmbyllës në Prishtinë të premten.

Ky mjet fluturues është lëshuar nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj.

Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se “një aeroplan lodër fluturon. Qielli do të mbetet i hapur, pa skaj, sepse liria është kushti njerëzor”.

“Idetë e reja nuk do të mbarojnë sa t’ketë njerëzi. Kush pretendon fundin veçse i ka dhënë fund vetes”.

“Kritika protestuese që kërkon liri e gjenë gjithmonë rrugën e vet. Edhe kur regjimi ka pushtuar e mbërthyer çdo skutë, një formë e re do të gjendet. Ka qenë kështu edhe në distopitë më të errëta totalitare”.

Droni është lëshuar në kohën kur në sheshin “Skenderbeu”, në kryeqytet po mbahej një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje, ku ishte prezentë kandidati për kryeministër i kësaj partie Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në mesnatë mbyllet fushata e parakohshme parlamentare.

Të gjitha partitë politike kanë kohë deri në orën 12 për të kryer premtimet dhe për t’u bërë thirrje qytetarëve të votojnë partinë e tyre.

Dita e shtune është heshtje zgjedhore.

Ndërkaq të dielën duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit hapen vendvotimet për qytetarët, të cilët do të votojnë kandidatët për deputetë dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Përgjatë 10 ditëve, subjektet politike kanë shpalosur programet e tyre para elektoratit në secilin pjesë të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore