Lajme

Lideri i opozitës, Memli Krasniqi me videoadresim i uron qytetarëve Vitin e Ri 2022


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me anë të një videoadresimi ka uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës Vitin e Ri 2022, duke shprehur se është një moment falënderimi për njëri-tjetrin, për familjen dhe për miqtë.

Lideri i PDK-së ka falënderuar profesionistët shëndetësorë, policët, mësimdhënësit, ndërmarrësit, bashkatdhetarët, dhe të gjithë të tjerët, që me përkushtimin e tyre të palodhur, e bënë më të lehtë këtë vit të rëndë pandemik.

“Secili prej tyre ka pasur nevojë për më shumë mbështetje. Por, ata nuk u ndalën. Përkundrazi, sakrifikuan dhe dhanë gjithçka nga vetja, pa kursim”.

“Falënderim për vajzat dhe djemtë tanë të mrekullueshëm, që me talentin, punën dhe suksesin e tyre, si sportistë dhe artistë, lartësuan flamurin e Kosovës, nderuan shtetin, i dhanë shkëlqim të artë vendit, dhe e bënë krenarë gjithë kombin” ka thënë ai duke shtuar se të gjithë, pa përjashtim, tregojnë për “forcën që kemi për të qëndruar, për të punuar e për të ecur përpara”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Krasniqi ka thënë se ëndrrat nuk na janë zbehur për një Kosovë më të fortë e më të zhvilluar, andaj shpreson që viti 2022 do të jetë vit më i mirë.

“Ne duhet të jemi krenarë për të arriturat e jashtëzakonshme të këtyre dy dekadave, duke qenë mirënjohës e jo mohues, kur së bashku kemi shkruar historinë e krijimit, ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit tonë”.

Lideri i PDK-së ka thënë se së bashku me qytetarët pa dallim, do të angazhohet për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, për mirëqenie, siguri dhe drejtësi.

“Gëzuar të gjithëve ky vit i ri, me dëshirat më të mira për ju dhe familjet tuaja”.

Ai nuk ka harruar ish drejtuesit e PDK-së përkatësisht ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në Hagë.

“Veçanërisht, gëzuar dy burrështetasve – Hashim Thaçit e Kadri Veselit – dhe shokëve të tyre çlirimtarë, që ndonëse padrejtësisht e presin të mbyllur ndërrimin e motmoteve, janë krenarë që populli i Kosovës feston i lirë”, ka thënë Krasniqi në videoadresimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore