Lajme

Liburn Aliu, jashtë akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare


Është hedhur poshtë aktakuza ndaj Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka e Mimoza Berisha-Prestreshitë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Hedhjen poshtë të aktakuzës për Albanian Post, e ka konfirmuar avokati mbrojtës i të akuzuarit Zejnulla Rexhepit, Behar Ejupi.

“Sot më 14 qershor kam pranuar aktvendimin nga Gjykata Themelore e Prishtinës se kërkesat e avokatëve janë pranuar, rrjedhimisht edhe të klientit tim Zejnulla Rexhepit”, tha avokati Ejupi për Albanian Post.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve për korrupsion, të Ministrit të tanishëm të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, Ardian Ollurit, Zejnulla Rexhepit, Nazife Krasniqit, Bahtie Ukas dhe Mimoza Berisha-Prestreshit.

Ndaj Ministrit Aliu ishte bërë akuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në kohën kur ushtronte pozitën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinë, për mospërfilljen e planit zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë në lagjen ‘Prishtina e Re’.

Sipas Prokurorisë, aktakuza ndaj ministrit Aliu është ngritur me 24 korrik 2020, ndërsa sipas par.4, të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, pas ngritjes së aktakuzës dhe dorëzimit të së njëjtës në Gjykatë, shqyrtimi fillestar duhej që të mbahej në afat prej 30 ditëve.

“Lënda ku i akuzuar është L. A., etj., nga gjyqtari i çështjes është pranuar me datë 15.01.2021, pas avancimit të tij në Departamentin për Krime të Rënda”, kishte shkruar Gjykata e Prishtinës në një përgjigje për rastin në fjalë.

Sipas aktakuzës së ngritur, me qëllim që të iu shkaktohet dëm të dëmtuarve, të akuzuarit e lartëpërmendur kanë refuzuar si të pabazë kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç, për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në kuadër të bllokut Urban ‘‘I-1’’ dhe ‘‘I-2’’, në Prishtinë.

Veprime këto që prokuroria i kishte cilësuar si keqpërdorim i detyrës zyrtare  nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Liburn Aliu ishte emëruar Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2 më 22 mars, me aktakuzë aktive, gjë që tani është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore