Libra

‘Libri anatemon vetminë’


Leximi është një nga zgjedhjet e pakta të stilit të jetës, që ju ndihmon të zhvilloni personalitetin tuaj.

Qoftë fantazi, trillim historik, autobiografi apo krim i vërtetë ka shumë për të mësuar nga këta shokë besnikë.

Kur lexoni, e vendosni veten në vendin e protagonistit, apo antagonistit, në varësi të historisë.

Marrëdhënia me leximin është e këtillë: lexuesi tërhiqet nga jeta e tij dhe ndërfutet në sferën imagjinare, por reale të personazhit. Lexuesi jeton jetën “e tij” ose “të saj”.

“Lexova një libër dhe gjithë jeta ime ndryshoi”.

Kështu shprehet drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), Alda Bardhyli, për Albanian Post (AP), e cila radhiti benefitet e leximit, duke e nisur me një shprehje të Orhan Pamuk-ut.

QKLL-ja është e angazhuar në mbështetjen e politikave ndaj librit e leximit dhe, në bashkëpunim me fakultetin dhe studentët e letërsisë, në rijetëzimin e klubeve letrare dhe bibliotekave të lagjes si një vend nxitës ndaj leximit dhe promovimit të letërsisë.

Çdo vit nuk mungojnë eventet promovuese kushtuar librit.

Leximi, pse është i rëndësishëm?

“Një lexues jeton një mijë jetë para se të vdesë, ai që nuk ka lexuar kurrë jeton vetëm një”, ka thënë George RR Martin, shkrimtar i tregimeve të shkurtra dhe novelist amerikan.

Ndërsa, sipas Bardhylit “Leximi të shtyn drejt ndryshimit. Ai transformon ngadalë jetën tënde, duke e përsosur atë, rrit kapacitetin tënd formues, rrit gjykimin dhe analizën, duke zgjeruar kufijtë që shpesh njeriu ia vendos vetes”.

QKLL organizoi një takim me rastin e Ditës Botërore të Librit, ku të pranishëm qenë botues, pedagogë dhe studentë të Universitetit të Tiranës.

Sipas Aldës, “ndryshimet që ne pësojmë pas leximit janë të ndryshme në kohë, por në thelb ato përshkohen në arritje dhe kënaqësi vetjake”.

“Leximi i jep jetë fantazisë. Bota bëhet më e bukur nëse nisim ta përfytyrojmë, po ashtu edhe vetë jeta. Gjithçka lind nga një përfytyrim”, u shpreh Bardhyli.

Në mbyllje të fjalës, ajo vlerësoi se një njeri i lexuar nuk është asnjëherë vetëm, “Libri anatemon vetminë”.

Lidhja psikologjike me leximin

Psikologia klinike, Adelina Pjetra, për Albanian Post shprehet se ekziston një lidhje psikologjike me të lexuarit.

“Të lexuarit të ndihmon të bësh një gjumë më të mirë, pasi trajnon trurin në mënyrën më të mirë”, u shpreh Pjetra.

Psikologia e vlerësoi aktivitetin e të lexuarit si një ndihmë në përmasimin e empatisë dhe forcë në përballjen me shëndetin mendor. Ajo shtoi se “leximi ul simptomat e demencës”.

Përtej benefiteve personale psikologjike, libri është simbol i kulturës.

Siç thotë edhe një nga shkrimtarët më të njohur amerikanë të Shekullit XX, Ray Douglas Bradbury.

“Ju nuk keni pse të digjni libra për të shkatërruar një kulturë, thjesht nxisni njerëzit të ndalojnë së lexuari”.

Leximi është një aftësi, si dhe një privilegj. Të gjithë jemi me fat që jemi pjesë e botës, ku arsimi dhe informacioni janë në dispozicion për këdo që e dëshiron atë.

Ka nga ata, të cilëve leximi u ka ndryshuar jetën në mënyra shumë të dukshme. Provë më e mirë e kësaj janë disa nga autorët më të njohur në histori, të cilët kanë folur për gëzimet, përfitimet dhe nevojat e leximit dhe fjalët e tyre janë kthyer në citate.

“Mendohu përpara se të flasësh, lexoni para se të mendoni”, ka thënë Fran Lebowitz, autor amerikan, folës publik dhe aktor.

Sipas tij, të lexuarit është një nga aktet më të mëdha të civilizimit, sepse merr lëndën e parë të lirë të mendjes dhe ndërton kështjella mundësish.

Ernest Hemingway na mëson se “Nuk ka asnjë mik aq besnik sa një libër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore