Shqipëria

Librazhdi zbardhet nga dëbora, por mbërthehet nga errësira


Dëbora ka mbërthyer të gjitha qytetet e Shqipërisë. Përveç pamjes së bukur ajo na ka dhuruar dhe mjaft probleme të tjera.

Një pjesë e madhe e qytetit të Librazhdit, ka mbetur pa energji elektrike që  nga mbrëmja e 13 shkurtit.

Reshje të dendura dëbore përfshinë dhe qarkun e Elbasanit gjatë pasdites së djeshme, duke shkaktuar problematika të ndryshme në akse rrugore dhe furnizimin me energji.

Gjatë një komunikimi për AlbanianPost, administratori i Njësisë së Orenjës, Gentian Luka, sqaroi se po punohet për riparimin e defekteve të shkaktuara në djegien e transformatorit.

Ai sqaroi se Orenja nuk është e vetmja njësi administrative pa drita, pasi ka pasur dhe në zona afër saj probleme të tilla.

Banorë nga fshati Dorëz bëjnë me dije se prishja e transformatorit pranë qendrës së qytetit i ka lënë pa drita për më shumë se 24 orë.

Emergjencat civile kanë reaguar duke postuar në median sociale (facebook), për gjendjen.

“Kemi probleme me energjinë elektrike në njësinë administrative Orenjë, Hotolisht, Lunik, Steblevë”, shkruhet aty.

Sipas postimit grupet e OSHE-së kanë filluar riparimin e defekteve, në kabinat kryesore të qytetit.

Problemi i energjisë elektrike nuk është i vetmi, pasi bllokimi i rrugëve mbetet akoma thelbësor. Në aksin rrugor Libazhd-Steblevë një pjesë e aksit është bllokuar dhe dëbora ka arritur deri në 70 cm trashësi.

Në një prononcim për AlbanianPost, drejtori i Punëve Publike në Librazhd, Olgert Alla, bëri me dije se rrugët e qytetit janë të gjitha të hapura dhe e vetmja zonë ku akoma nuk është kryer zhbllokimi është ajo në Stravaj.

Ai shtoi se janë çuar dy fadroma në Rrajcë dhe në zonat përreth saj. Gjithashtu edhe Spitali i Përgjithshëm në Librazhd, ka bërë me dije se është pranë qytetarëve.

Rrajcë, Librazhd
Librazhd qendër

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore