Libra

Librat më të mirë të gjitha kohërave sipas revistës ‘Time’


“Anna Karenina”e shkruar gjatë viteve 1873-1877 prej shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi. Vepra hapet me një citat madhështor: “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe, janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat.” Kjo novelë është një kryevepër e dashurisë tragjike të Ana Kareninës me kontin Vronski, të dy këta pre e një dashurie, që nuk do të marrë kurrë miratimin nga shoqëria ruse e kohës.

“Zonja Bovari”, është novela e parë e Gustav Floberit, të cilën ai e botoi në vitin 1857 dhe që konsiderohet prej shumë kritikëve si kryevepra e tij. Prej shumë novelave të shekullit të 19, që flasin për shkeljen e kurorës, vetëm zonja Bovari është një personazh shumë i urryer prej vetë autorit të saj.

“I madhi Getsbi”, është romani stoli i epokës së xhazit, që pikturon një portret të paharrueshëm të ditëve të kaluara mes muzikës xhaz, xhinit, pakujdesisë dhe pasurisë së vënë lehtë. Ky roman është ndoshta legjenda më e madhe e kërkimit të “ëndrrës amerikane”, e shkruar ndonjëherë.

“Lolita”, një roman nga Vladimir Nabokov. “Lolita, drita e jetës sime, zjarri i trupit tim, mëkati dhe shpirti im”, kështu fillon kjo kryevepër e shquar ruse. Në të flitet për Humbert Humbert, një burrë i moshës së mesme, i cili bie çmendurisht në dashuri me një vajzë vetëm 12-vjeçare, Dolores Haze.

“Aventurat e Hakëlberri Fin”, i shkruar nga Mark Tuein, është romani i një fëmijërie të lumtur për të gjithë ata që e kanë lexuar në vegjëli. Heminguej shprehet: “Çdo roman modern amerikan vjen prej Hakëlberri Fin”.

“Hamleti”, është drama më e famshme e kohërave e shkruar prej dramaturgut të papërsëritshëm Uilliam Shekspir. Hamleti tregon historinë e një princi të ngarkuar me peshën e rëndë të hakmarrjes për vrasjen e të atit nga duart e xhaxhait të tij, i cili më pas u martua me të ëmën e Hamletit dhe u bë mbret i Danimarkës, duke rrëmbyer kështu fronin e personazhit kryesor.

“Novelat e Çehovit”, u shkruan përgjatë viteve 1860-1904. Djali i një robi rus të liruar, Anton Çehov, u bë një doktor, i cili shpesh i kuronte pacientët pa pagesë dhe që më pas do të njihej si shpikësi i novelës ruse. Deri më tani letërsia ruse ishte njohur me mënyra të ndryshme të shkrimit, përgjithësisht të zbukuruara dhe të tepruara.

“Në kërkim të kohës së humbur”, është një roman me shtatë vëllime i Marsel Prustit. Është puna e tij më e shquar e njohur si për gjatësinë e saj, ashtu edhe për kujtesën e pavullnetshme. Fitoi famë kur në vitin 1992 u përkthye nga frëngjishtja në anglisht prej D.J. Enright nën titullin “In Search of Lost Time”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore