Lajme

Libani – mes krizës financiare – cakton datën e zgjedhjeve


Parlamenti mblidhet për të konfirmuar qeverinë e re të Libanit në një teatër të Bejrutit të njohur si pallati UNESCO, e hënë, 20 shtator 2021. 

Parlamenti libanez të martën ka vendosur se 27 marsi i vitit 2022, do të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet.

Gjatë votimit, anëtarët e Parlamentit vendosën kundër gjashtë vendeve shtesë për të përfaqësuar diasporën libaneze.

Zgjedhjet do të mbaheshin në maj, por u zhvendosën për të shmangur fushatën gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur myslimanët agjërojnë.

Pasi të mbahen zgjedhjet, kabineti i kryeministrit Najib Mikati do të veprojë si një qeveri e përkohshme ad hoc, derisa një kryeministri të ri t’i jepet votëbesimi në parlament.

Pasi të ndodhë kjo e fundit, kryeministri i ri do të ngarkohet me formimin e një qeverie të re.

Protesta antiqeveritarë në përvjetorin e parë të shpërthimit masiv në portin e Bejrutit, pranë Sheshit të Parlamentit, në Bejrut, Liban, të mërkurën, 4 gusht 2021.

“Al Jazeera” raportoi se Mikati kishte deklaruar se, “dashtë Zoti, zgjedhjet do të jenë transparente dhe të shëndosha”.

Kjo i jep qeverisë së Mikatit vetëm pesë muaj që të përpiqet të sigurojë një plan rimëkëmbjeje të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas “Reuters”, Banka Botërore e etiketoi krizën financiare të Libanit një nga “depresionet më të thella të historisë moderne”.

Tre të katërtat e popullsisë janë zhytur në varfëri dhe janë bllokuar nga kursimet e tyre bankare dhe monedha ka humbur 90% të vlerës së saj origjinale.

Pas shpërthimit të portit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht 2020, kryeministri Hassan Diab dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen, duke e futur shtetin në trazira politike.

Javën e kaluar, persona të armatosur hapën zjarr në Bejrut gjatë një proteste të organizuar të Hezbollah-ut, duke vrarë të paktën shtatë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore