Lajme

Liban/ Vritet një tjetër zë kritik i Hezbollah-ut


Kritiku i Hezbollah-ut, Lokman Slim, është gjetur i vdekur në Liban.

Sipas deklaratës së policisë, ai u gjet i vdekur në makinën e tij ku dhe ishte i qëlluar në kokë.

Ai u gjet mëngjesin e të enjtes disa orë pasi ishte raportuar i humbur.

Djali i udhëheqësit të Hezbollah-ut, Hassan Nasrallah, shkroi në Twitter se “Humbja e disa njerëzve është një fitore, por e paplanifikuar nga ne”.

Vrasja e një zëri tjetër kritik në Liban, ka nxitur edhe një herë zemërimin ndaj një klase politike që është e pafuqishme dhe e pavullnetshme, për të sjellë para përgjegjësive vrasësit.

Në dekadat e fundit, vrasjet janë përdorur si armë politike. Sipas statistikave shumica prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.

Vrasja e Slim-it, rikujtoi vdekjen e profesorit të historisë dhe gazetarit, Samir Kassir, 16 vjet më parë.

Cfarë përfaqëson Hezbollah-u

Hezbollah është një parti politike myslimane shiite dhe një grup militant pro iranian, me seli në Liban.

Grupi i mbështetur nga Irani, njihet si kundërshtar i Izraelit që kërkon eliminimin e tij dhe për rezistencën ndaj ndikimit Perëndimor në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu, konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Arabia Saudite. Vendet e Bashkimit Evropian njohin si terroriste vetëm krahun e tij ushtarak dhe pak prej tyre kanë futur në listën e terrorizmit edhe krahun e tij politik.

Së fundmi edhe qeveria e Kosovës miratoi vendimin me të cilin krahu politik dhe ushtarak i Hezbollah-ut shpallet organizatë terroriste.

Mbështetja e tij për regjimin e Bashar al-Asadit e ka shndërruar Hezbollah-un në një forcë ushtarake gjithnjë e më efektive.

Hezbollah u krijua zyrtarish në 1985, gjatë luftës civile të Libanit. Lufta shpërtheu në 1975 kur pakënaqësitë për praninë e trupave të armatosur Palestineze në vend arriti një pikë vlimi. Hezbollahu mbart meritën e fitores kundër pushtimit izraelit në vitin 2000.

Sipas një marrëveshje politike të vitit 1943 dhe një marrëveshjeje në qytetin e Taif-it në Arabinë Saudite në 1989, pushteti politik është i ndarë midis grupeve fetare mbizotëruese të Libanit. Një mysliman suni shërben si kryeministër, një i krishterë maronit si president dhe një mysliman shiit si kryetar i parlamentit.

Hezbollah e quan veten “lëvizja shiite e rezistencës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore