Lajme

Liban, 42% e familjeve nuk mund të përballojnë Iftar-in e Ramazanit


Një krahasim i çmimeve, të disa artikujve bazë ushqimorë në Liban, tregon se këtë Ramazan banketet e Iftarit do të humbin një sërë artikujsh nga viti i kaluar.

Çmimi për një kilogram oriz, i cili nuk kalonte 3 mijë LBP (dy dollarë bazuar në kursin zyrtar të këmbimit prej 1 mijë e 515 LBP për dollar) tani tejkalon 8 mijë LBP.

Ndërsa një kilogram thjerrëza, që konsiderohet ushqim për të varfrit, kapi shifrën e 15 mijë LBP.

Çmimi i pesë litrave vaj për gatim ishte rreth 18 mijë LBP, duke u rritur me 7 herë, në 90 mijë LBP, ndërsa tregtarët aplikuan kursin e këmbimit të tregut të zi prej 13 mijë LBP për dollar.

Një indeks i botuar të hënën e 12 prillit nga Observatori i Krizave i Universitetit Amerikan tregoi se kostoja e një Iftari, që ka përbërës thelbësorë (njëfarë hurme, supë me thjerrëza, sallatë fattoush dhe gjysmë filxhan qumësht) ky vakt bazë për person do të kushtonte 12 mijë LBP (8 USD) ose 60 mijë e 250 LBP (40 USD) çdo ditë për një familje me pesë persona.

Kjo do të thotë që, kostoja e Iftarit është më shumë se dy herë e gjysmë e pagës minimale në muaj, duke pasur parasysh se çmimi i llogaritur nuk përfshin ujë, lëngje, ëmbëlsira, gaz, energji elektrike dhe materiale pastrimi.

Observatori vuri në dukje se 42.5 për qind e familjeve në Liban, të ardhurat e të cilëve nuk e kalojnë 1.2 milionë LBP në muaj (ekuivalente me rreth 100 USD) do ta kishin të vështirë të siguronin vaktin minimal të Ramazanit.

Në krahasim me vitet e mëparshme, indeksi bazë i kostos së Iftarit, sipas Observatorit, tregoi një rritje nga rreth 450 mijë LBP në muaj në 2018 në 467 mijë LBP në 2019 dhe, më pas, në rreth 600 mijë LBP në 2020, duke u ngjitur akoma më shumë këtë vit.

“Do të bazohemi tek ushqimet e lira dhe që të ngopin, të tilla si makaronat, për shembull”, thotë një zonjë, e cila pret të kthehet nga dera e një supermarketi.

Për Asharq Al-Awsat ajo tha se buxheti që ndante çdo vit për Ramazanin ishte i njëjtë, por tani mezi dilte për oriz, sheqer, vaj dhe disa drithëra.

Ministria e Ekonomisë kishte intensifikuar vizitat e saj inspektuese në supermarkete përpara Ramazanit, duke regjistruar një numër të madh shkeljesh.

Një burim në Ministri i tha Asharq Al-Awsat se ata po monitoronin rregullisht çmimet, por ishte e vështirë të kontrolloje 22 mijë pika shitjeje me vetëm 77 inspektorë.

Një sondazh i kryer nga Information International mbi një kampion prej 100 familje, tregoi se 45 për qind e të anketuarve nuk përgatitën ëmbëlsirat e Pashkëve javën e kaluar.

Ndërsa 35% të tjerë e bënë “maamoul” tradicionale me një kosto më të ulët, duke zëvendësuar fistikët dhe arrat me hurma dhe sheqer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore