Libra

Lexues i vetvetes


Libri i reziston kohës. “Pushteti i të shkruarit” bie veçse mbi lexuesin, ai që shpengohet nga udha e rrëfyesit, zërin e zërave brenda saj.

Të mos lexosh dot deri në fund një libër, është njësoj si të ndalesh së frymuari. Meseleja e fabulës është që “aq sa lexohet më pak, lexohet më keq, shkarazi në përkeqësim të asaj letërsie klasike, në një ngatërresë intelekto-politiko-motivuese, që nuk përbën aspak sfidë për letërsinë aq sa për anti-letërsinë e yshtur të shek. XX”.

Një letërsi e sëmurë nga padija dhe rrugaçëria e shkruesit, një libër që vjen nga balta e llumit njerëzor. Kjo ishte antiletërsia “sadiste” e modernitetit post-luftërave botërore, që përçudnoi një sistem të tërë vlerash në antitezë të vetes, njeriut për veten.

“Çdo lexues, ndërkohë që lexon, është në fakt lexuesi i vetvetes”.

“Puna e shkrimtarit është vetëm një lloj instrumenti optik. Ai i siguron lexuesit në mënyrë që të dallojë atë që nuk mund ta ketë parë kurrë te vetja pa këtë libër. Gjetja e vetes së lexuesit tek ajo që thotë libri, është prova e së vërtetës së librit”.

Të gjesh veten te leximi, është të humbasësh në lirinë e të lexuarit. Të lexosh veten, ndërkohë që lexon, është si të shfletosh të njëjtën ëndërr që nuk e ke parë kurrë, por ia njeh qenësinë, pozitën, praninë, prekjen e ndjesinë e saj.

Libri virtual, apo libri i pashfletueshëm në prekje e nuhatje, është një prakticitet i tepruar i kushteve teknike post-moderne.

Libri fizik, ai i prekshmi, gjithmonë në kontakt me lexuesin, fleta me shkruesin e fjala me mendimin. Jo ngase e gjithë farsa e ekranit zhbën totalitetin e mendimit, por është e tepërt të ndash dy brendësime brenda një jashtësie, asaj të syrit ndaj fjalës, e kundrimit në mendim.

“Mendoj se duhet të lexojmë vetëm llojin e librave që na plagos ose na ther. Nëse libri që po lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, për çfarë po lexojmë? Që të na bëjë të lumtur, ashtu siç shkruhet? Na duhen libra që na prekin si një katastrofë, që na brengosin thellë, si vdekja e dikujt që e donim më shumë se vetja, si të dëbohesh në pyje larg të gjithëve, si një vetëvrasje. Një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh”.

Libri për veten është objekt kulti i fletës ndaj përthyerjes, kapakut ndaj bojës, autorit ndaj referentit, redaktorit ndaj vetes. Libri për tjetrin është gjithmonë i pamjaftueshëm në perfeksion.

Është kujtimi i parë i një ndjesie që kapërcen e mbetet i ndryshueshëm. Është ndjesia e një rikujtimi valëzues që vijon i pandryshueshëm nga fundi i parë i një libri drejt fillesave të reja, të dijësimit, të harresës, për të mos mbajtur mend asgjë.

Unë nuk mbaj mend as librin e parë e as librin e fundit që kam lexuar, sepse unë nuk lexoj për të mbajtur mend. Unë lexoj për të shfletuar veten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore