Futboll

Lewandowski do të mungojë në ndeshjen kundër Anglisë


Robert Lewndawski do të mungojë në ndeshjen e Polonisë kundër Anglisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022.

Shoqëria polake e Futbollit (FA Polonia), nëpërmjet një deklarate zyrtare mëngjesin e të hënës (29 mars) ka njoftuar se, kapiteni i Kombëtares së Polonisë, Lewandowski është dëmtuar në ligamentin e gjurit të djathtë.

Ndërkaq, Lewa do të mbetet jashtë ekipit për afërsisht 10 ditë.

32-vjeçari, i cili ka shënuar 42 gola në 36 ndeshje me Bayern Munich-un, në të gjitha kompeticionet ku ekipi bavarez ka marrë pjesë, u dëmtua ditën e diel në ndeshjen kundër Andorra-s.

Sulmuesi dhe një ndër golashënuesit më të mirë në histori, shënoi dy nga golat e rezultatit total përfundimtar (3-0); i pari në minutën e 30-të dhe i dyti vetëm 10 minuta pasi filloi pjesa e dytë (55’).

“Koha e shkurtër e mbetur përpara se Kombëtarja polake të luajë ndeshjen e radhës kundër Anglisë, është e pamjaftueshme për rimëkëmbjen e kapitenit (Robert Lewandowski).

Ajo ndeshje veçse do ta përkeqësonte dëmtimin e tij. Duke marrë parasysh turneun Euro 2020, është vendimi i duhur”, shkruhet në deklaratën e Shoqërisë së Futbollit të Polonisë.

Trupi drejtues i FA Polonia ka vazhduar më tej, duke shpjeguar hollësisht detajet e dëmtimit dhe kohën e parashikuar deri sa Lewa të jetë sërish në gjendje të hyjë në fushën e blertë:

“Trajtimi i këtij lloji dëmtimi, zakonisht zgjat nga pesë deri në 10 ditë.

Ndërkaq, Robert Lewandowski do të kthehet te klubi i tij, ku do të zhvillojë procesin e nevojshëm të rehabilitimit fizik”, përfundon FA Polonia.

Me katër pikë, Polonia renditet e dyta pas fitores kundër Andorra-s në stadiumin “Wojska Polskiego” të Varshavës dhe barazimit me Hungarinë.

Përpara ka udhëheqësit, Anglinë. Pas, në vend të tretë, lë Hungarinë me 4 pikë, Shqipërinë në vend të katërt me tri pikë pas humbjes me Anglinë, Andorra-n dhe San Marino-n në vend të pestë e të gjashtë, të cilat kanë dy humbje secila.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore