Pajisje

Lëvizja e re e Turqisë drejt hapësirës


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe CEO i Tesla-s, Elon Musk, kanë diskutuar rreth bashkëpunimit të ardhshëm për ndërmarrjet e përbashkëta lidhur me teknologjinë hapësinore.

E përditshmja, Daily Sabah, bën me dije se sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimeve Presidenciale në Turqi, fokusi i bisedimeve të presidentit Erdogan me Musk ka qenë zhvillimi i teknologjisë hapësinore.

Bashkëpunimi pritet të bëj bashkë sektorin publik dhe privat të Turqisë me kompaninë hapësinore SpaceX të Musk-ut.

“Do të vazhdojmë të ndjekim zhvillimet në teknologji, si në vendin tonë ashtu edhe në botë. Do të vazhdojmë të mbështesim çdo lëvizje që sjell përfitim për popullin tonë”, ka shkruar Erdogan në mediat sociale pas bisedës me Elon Musk.

Sipas Daily Sabah, thirrja ka ardhur pas nisjes nga Turqia të satelitit Türksat 5A në orbitë duke përdorur raketën SpaceX Falcon 9.

Pas mbërritjes së Türksat 5A në orbitë, Turqia do të ketë 7 satelitë aktivë në hapësirë.

Për sa i përket satelitëve të Turqisë që gjenden aktualisht në hapësirë, Türksat 3A, Türksat 4A dhe Türksat 4B, përdoren për komunikim. Ndërsa për vëzhgim janë Göktürk-1, Göktürk-2 dhe Rasat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore