Lajme

Letrat e Pandorës/Prokuroria merr në pyetje djalin e Gjukanoviç-it


Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe djali i tij, Bllazho Gjukanoviç

Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi e ka marrë në pyetje Bllazho Gjukanoviç-in, djalin e presidentit Millo Gjukanoviç të premten e 22 tetor.

Rasti ka të bëjë me publikimin e dokumenteve “Letrat e Pandorës”, thuhet nga burime jozyrtare të REL.

Rrjedhja masive e dokumenteve që zbuloi se dhjetëra udhëheqës të mëparshëm dhe të tanishëm botërorë dhe shumë njerëz të tjerë kanë përdorur kompani jashtë vendeve të tyre, për të fshehur pasurinë.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe djali i tij, Bllazho, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë gjatë vitit 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari, ka thënë Qendra hulumtuese malazeze, Mans, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës.

Kryeprokurori malazez, Milivoje Katniç në një konferencë për media më 21 tetor ka thënë se do të kërkoj një deklaratë me shkrim nga presidenti malazez Millo Gjukanoviç lidhur me rastin Pandora, ndërsa djali i tij, Blazho Gjukanoviç do të thirret dhe do të merret në pyetje.

“Deklarata me shkrim është e mundur, u ofrohet si mundësi zyrtarëve të lartë, jo për t’u privilegjuar apo ndarë nga të tjerët, por për të shmangur procedurën e kontrollit të ambienteve”, ka thënë Katniç.

Kryeprokurori malazez, Milivoje Katniç në një konferencë për media

Presidenti Gjukanoviç më parë kishte konfirmuar se e ka themeluar një kompani me emrin “Victoria Trust” në një kohë kur nuk ka qenë zyrtar, por se nuk ka pasur transaksione biznesi apo llogari bankare të hapura dhe se më pas pronësinë e asaj kompanie ia kishte kaluar djalit të tij.

Ndërsa lidhur me rastin “Letrat e Pandorës” më 14 tetor është marrë në pyetje drejtoresha ekzekutive e MANS, Vanja Çaloviç.

Kurse kabineti i presidentit Gjukanoviç, kishte thënë se publikimi i qendrës Mans është një tjetër “përpjekje për të diskredituar presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”.

Gjukanoviç ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës Mans janë të pavërteta thuhej në reagimin e kabinetit të presidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore