Lajme

Letra që krisi marrëdhëniet Gjermani-Marok


Të hënën u publikua një letër, në të cilën ministri i Jashtëm maroken, Nasser Bourita, i sugjeronte kryeministrit që të gjitha zyrat e qeverisë të pezullonin marrëdhëniet e tyre me ambasadën gjermane.

Megjithëse nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga qeveria gjermane për këtë çështje, sipas agjencisë së lajmeve Deutche Welle, Berlini nuk sheh asnjë arsye për të prishur marrëdhëniet e mira midis dy kombeve.

Ambasadori maroken ishte ftuar të vinte në Zyrën e Jashtme Gjermane urgjentisht dhe të shpjegonte letrën.

Fillimisht letra u publikua në mediat sociale dhe kanalet e mesazheve si WhatsApp.

Problemet që sollën letrën

I pari në listën e problemeve, është perceptimi që Gjermania po punon kundër pretendimeve të Marokut për sovranitet mbi Saharanë Perëndimore.

Mosmarrëveshja e Saharasë Perëndimore përfshin një ish-koloni spanjolle që Maroku e ka aneksuar në 1975.

Një grup, i quajtur Fronti Polisario, kundërshton aneksimin maroken.

Aktivistët pro pavarësisë kanë bërë thirrje për një referendum mbi vetëvendosjen në zonë, e cila kontrollohet pjesërisht nga ata dhe pjesërisht nga Maroku.

Kontrolli mbi territorin e Saharasë Perëndimore është një nga qëllimet më të rëndësishëm të politikës së jashtme.

Dhjetorin e kaluar, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ende e kryesuar nga Donald Trump, njohu sovranitetin e Marokut mbi territorin e diskutueshëm për rivendosjen zyrtare të lidhjeve me Izraelin.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjermania i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit për të mbajtur një takim me dyer të mbyllura mbi vendimin e SHBA dhe përkeqësimin e situatës në Saharanë Perëndimore, pasi armëpushimi për një kohë të gjatë u shfaq i rrezikuar.

Ky takim pa dyshim nuk ishte në interesin e Marokut.

Një çështje tjetër, që u përmend nga kritikët marokenë të Gjermanisë, është se, më 27 shkurt, parlamenti në shtetin gjerman të Bremenit ngriti flamurin e Republikës Demokratike Arabe Sahrawi.

Në faqen e tyre zyrtare në Facebook, politikanët e shtetit thanë se e kishin bërë këtë për të shënuar 45-vjetorin e themelimit të Republikës Sahrawi.

Një pikë që ceket nga mediat marokene është refuzimi i Gjermanisë për të ndjekur penalisht aktivistin marokeno-gjerman Mohamed Hajib, i cili kaloi shtatë vjet në një burg maroken.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore