Shqipëria

Letonia mbështet hapjen e negociatave BE-Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut 


Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, në raportin vjetor të politikës së jashtme ka theksuar mbështetjen e fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Ai gjithashtu thekson se proceset e ndryshimit dhe debati për të ardhmen e BE-së, në përgjigje të sfidave të reja dhe kërkimi i një modeli të suksesshëm qeverisjeje, nuk e ndryshojnë qëndrimin e Letonisë se BE-ja duhet të mbetet e fortë, në bashkimin e vlerave  të kombeve, të cilat mbajnë standarde të larta të demokracisë.

Rinkevics thekson se është në interesin e Letonisë të ruajë ekuilibrin institucional ekzistues për të siguruar identitetin unik të BE-së si një bashkim i shteteve kombëtare. Sipas ministrit, efikasiteti i vendimmarrjes në BE mund të përmirësohet në mënyrë që BE-ja të mbrojë interesat e saj dhe të rrisë ndikimin e saj në botë.

“Letonia është e bindur se efektiviteti dhe qëndrueshmëria e politikës së jashtme të BE-së sigurohet kryesisht duke ruajtur parimin e unanimitet në vendimmarrjen e politikës së jashtme dhe përdorimi i votimit të shumicës së cilësuar në marrëdhëniet e jashtme dhe sigurinë e BE-së nuk është i zbatueshëm”, shtoi ministri.

Sipas tij, do të vazhdojë të jetë e rëndësishme të sigurohet që çdo shtet anëtar të ketë kapacitetin për të ndikuar në vendimet, pasi kjo luan një rol kyç në zbatimin dhe interpretimin e vendimeve të përbashkëta në nivel kombëtar.

Gjithashtu, sipas Rinkevics, një pozicion i bashkuar dhe i koordinuar i vendeve anëtare është thelbësor për zbatimin e politikës së jashtme të përbashkët të BE-së, duke vendosur synime ambicioze, veçanërisht në një kohë kur BE-ja po përpiqet të forcojë rolin e saj global dhe të kuptuarit e vlerave të saj në botë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndër të tjera, ai vëren se në politikën e BE-së, Letonia është fokusuar në politikën klimatike dhe transformimin digjital. Puna po vazhdon gjithashtu për pasojat e pandemisë COVID-19, dhe vendimet e koordinuara në lidhje me kujdesin shëndetësor janë për rrjedhojë të rëndësishme, jo vetëm brenda vendeve, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve transnacionale.

Ai e mbyll arsyetimin e tij, duke theksuar se është e rëndësishme që BE-ja ka filluar të forcojë qëndrueshmërinë e saj dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga faktorët dhe sfidat e jashtme negative.

“Forcimi i shtetit ligjor dhe i vlerave mbetet i rëndësishëm”, e përmbylli ai.

Ngërçi i hapjes së negociatave

Çështja e hapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin, është bërë dhe një ndër kryesoret në retorikën e Komisionit Evropian.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar i prerë që të hapen sa më shpejt negociatat.

Në janar 2022, ndërkaq, presidencën e BE-së e merr zyrtarisht Parisi.

E vetmja gjë që bllokon hapjen e negociatave për dy vendet ballkanike, është vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit. Penalizim për këtë vendim ka edhe për Shqipërinë, për shkak se rrugëtimi evropian i saj shihet i bashkërenduar me Shkupin.

Megjithatë, ende nuk ka sinjale të qarta nga Sofja mbi vendimin përfundimtar të tyre. Me përfundimin e procesit zgjedhor atje, e pritshme është që bisedimet RMV-Bullgari të vijojnë. Por, nëse ato do të jenë të suksesshme, ende nuk kuptohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore