Përballje

Leipzig, demat përballë të kuqes


Të luftosh përballë një “demoni” si skuadra e Bayern, mbi çdo kualitet, do motivim, forcë dhe vendosshmëri.

Pelerinën e kuqe të Bayern-it, po e sulmojnë ashpër demat e Leipzig-ut, që nuk po i lejojnë ta bëjnë gjumin të qetë në Bavari.

Kur gjithçka duket se po kthehej në normalitet, një rikthim historik nga Leipzig, riktheu edhe situatën në të çuditshme, siç është tani.

Dueli Leipzig – Monchengladbach ishte padyshim ndër më interesantet e sezonit.

Ishin musafirët që pjesën e parë e mbyllën me avantazh të dyfishtë, si rezultat i golave të Hofmann dhe Thuram.

Kur Leipzig dukej se do e kishte shumë të vështirë të mbante hapin e Bayern që me herët triumfonte përballë Koln, skuadra e Nagelsmann shfaqi fytyrën e vërtetë në pjesën e dytë.

Fytyra kryesore ishte norvegjezi Sorloth, i cili me ftohtësinë skandinaveze ishte arkitekt i një super rikthimi.

Në të 57-ën, ai asistoi për Nkunku, duke rihapur sfidën.

Dhjetë minuta më vonë, ishte kapiteni Poulsen i cili barazoi shifrat në 2-2.

Një furi e frikshme përpara, Leipzig e mbante Gladbach-un të mbështetur më shpinë pas muri.

Kur gjithçka po mbyllej me barazim, në skenë u ngjit Sorloth, i cili shënoi golin e fitores për të mrekullueshmit e Nagelsmann.

Me këtë fitore, Leipzig mban hapin me Bayern, duke i qëndruar vetëm dy pikë prapa, si rivali kryesor për të ndalur ecurinë e titujve rradhazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore