Përballje

Europa Leauge: Leicester dhe Napoli ndajnë pikët, fitojnë Lyon e Monaco


Kanë përfunduar edhe ndeshjet e dyta të fazës së parë të grupeve në Ligen e Evropës.

Ndeshja mes Leicester-it dhe Napoli-t ishte spektakolare, e cila u mbyll me barazim 2:2.

Anglezët e nisën më mirë takimin, pasi që në minutën e nëntë kaluan në epërsi përmes futbollistit Ayoze Perez.

Pjesa e parë përfundoi me avantazh 1:0 në favor Leicester-it, derisa në të dytën ata dyfishuan epërsinë me anë të Harvey Barnes.

Derisa Leicester mendoi se po arkëtonte tri pikët e para në grup, reagimi i napolitanëve erdhi shumë shpejt.

Ishte futbollisti nigerian Victor Osimhen, që realizoi dy golat e barazimit për skuadrën italiane, për rezultatin përfundimtar 2:2.

Rezultat i njëjtë ishte edhe në stadiumin “Philips” në Eindhoven, aty ku PSV Eindhoven ndau pikët me Real Sociedad.

Mario Gotze realizoi golin e parë për holandezët në minutën e 32-të.

Por reagimi i Sociedad erdhi vetëm dy minuta më vonë, ku futbollisti me prejardhje nga Kosova, Adnan Januzaj barazoi shifrat në 1:1 dhe vetëm pesë minuta më vonë, spanjollët kaluan në epërsi me anë të Alexander Isak.

Me të filluar pjesa e dytë, PSV barazoi rezultatin në 2:2 përmes Cody Gakpo, i cili ishte edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Në ndeshjen tjetër, Lyon-i i Shaqirit realizoi fitore në udhëtim te ekipi skocez, Rangers.

Golat për francezët u shënuan nga një për secilën pjesë, ku në të parën realizoi sulmuesi Ekambi dhe i dyti ishte autogol i Tavernier.

Në këtë ndeshje, Xherdan Shaqiri u inkuadrua nga banka rezervë në minutën e 71-të, por nuk arriti që të lërë gjurmë.

Skuadra tjetër franceze, Monaco, arriti të marrë pikët e plota në takimin e zhvilluar në shtëpi përballë austriakëve të Sturm Graz.

Monaco fitoi ndeshjen me rezultat minimal 1:0, me golin e realizuar nga Krepin Diatta në minutën e 66-të.

Në ballafaqimin tjetër, Eintracht Frankfurt ndau pikët me Fenerbahce-n, pasi barazuan me rezultat 1:1.

Dy golat e takimit u shënuan në pjesën e parë, ku turqit kaluan të parët në epërsi përmes Mesut Ozil, pastaj gjermanët barazuan në fund të pjesës së parë me anë të Lammers.

Në këtë takim, futbollisti kosovar, Mërgim Berisha u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, madje arriti të shënojë golin e epërsisë, mirëpo sistemi VAR i anuloi atë.

Në ndeshjet tjera të orës 21:00, Olympiakos fitoi 2:1 përballë belgëve të Antwrp dhe skuadra daneze Brondby barazoi pa gola me Spara Pragan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore