Shqipëria

Lehtësim të shkëmbimeve tregtare, heqje të pengesave për punëtorët shqiptarë


Pas konferencës së përbashkët mes dy Qeverive asaj të Shqipërisë dhe Kosovës të premten e 26 nëntorit, vëmendja është përqendruar te përfaqësuesit e bizneseve.

Në një bashkëbisedim me këto të fundit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se “ishte dëshira e përbashkët e imja dhe homologut për të pasur këtë tryezë që duan ta kthejmë në traditë”.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të bëhet një ballafaqim me komunitetin e biznesit, me të cilin partneriteti i Qeverive nuk ka asnjëherë mungesë nevojë për përmirësim.

“Panorama aktuale është pozitive, pasi në këto vite ka një trend rritës në shkëmbimet tregtare, por besojmë se potenciali është më i madh”, tha Rama.

Ai ka theksuar se është detyra e dy Qeverive që të lehtësojnë shkëmbimet tregtare.

Numri një i Qeverisë ravijëzoi se, marrëveshjet e sotme  adresojnë pikërisht lehtësimin e tyre.

“Është një punë e nisur prej vitesh, por tanimë është një plan veprimi i përbashkët”, tha ai.

Në detajet e shpjeguar nga Rama, u fol për njohjen reciproke të agjencive doganore.

Sipas tij, një marrëveshje tjetër për lehtësimin e tregtive mes palëve do të lehtësoj më tej procesin e kalimit në doganë.

Një pikë tjetër ku u ndal Rama, ishte dhe ajo e njohjes së ndërsjellë e certifikatave sanitare për gjallesat shtazore.

Heqje e pengesave për punëtorët nga Shqipëria në Kosovë

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga tryeza e përbashkët me përfaqësuesit e bizneseve bëri një rezyme të statistikave kryesore të import – eksporteve ndër vite mes dy shteteve.

Sipas tij, Kosova ka një deficit të lartë tregtar, dhe për këtë në programin e Qeverisës, ka një pikë për mbështetjen e targetuar të bizneseve.

“Ekonomia jonë është e ndikuar nga tregtia e jashtme, dhe Shqipëria është më rëndësi për ne”, tha Kurti.

Ai ka kërkuar heqjen e pengesave për punëtorët nga Shqipëria në Kosovë dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët.

“Duhet të hiqen të gjitha barrierat tarifore duke krijuar një komision të përbashkët ndërqeveritar që do të identifikonte shkaqet e pengesave dhe që do vinte me propozime konkrete. Në të kaluarën ka pasur procedura për punëtorët nga Shqipëria, dhe kjo është për të ardhur keq”, tha Kurti në fjalën e tij.

Ai ka ravijëzuar se mundësimi i lëvizjes së lirë të punëtorëve është thelbësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore