Libra

“Legjitimiteti politik në kontekst të qeverisjes ndërkombëtare”


Sociologu Gëzim Selaci

Gëzim Selaci është studiues dhe ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Horizonti i gjerë i studimeve të profesor Selacit përfshin legjitimetin e pushtetit politik, shtetndërtimin, raportin e pushtetit me shoqërinë, përligjen e këtij pushtetit në raport me konstituentët shoqëror, autoritetin politik, shoqërinë dhe identitetin, aktivizmin politik, etj.

Së fundmi, në vitin 2020, profesori Gëzim Selaci ka botuar librin “Legjitimiteti politik në Kosovë: rasti i administratës së përkohshme ndërkombëtare”, vepër kjo e cila trajton disa nga pyetjet më themelore të legjitimitetit politik, kuptimet dhe nënkuptimet e legjitimitetit politik brenda dhe jashtë shkencave shoqërore, dhe kryesisht analizon parimet mbi të cilat është pretenduar të legjitimohen misionet e përkohshme qeverisëse dhe monituruese ndërkombëtare në Kosovë që nga viti 1999.

“Qëllimi i studimit është të kuptohen parimet legjitimuese të misioneve të përkohshme qeverisëse dhe mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe pretendimet e tyre për legjitimitet. Me fjalë të tjera, të analizohen kushtet në të cilat administrata ndërkombëtare pretendon të drejtën për të qeverisur dhe ushtruar pushtet politik, si dhe pranimi ose mospranimi i këtij lloj pushteti në shoqërinë politike kosovare”, shkruan në Parathënjen e librit.

“Legjitimiteti politik në Kosovë: rasti i administratës së përkohshme ndërkombëtare” e autorit Gëzim Selaci.

Në një intervistë për Albanian Post, profesori Selaci shpjegon se “Tema e librit tim “Legjitimiteti politik në Kosovë…” është, pra, legjitimiteti i  pushtetit politik, ndërsa rasti konkret për studimin e kësaj teme është legjitimiteti i pushtetit ndërkombëtar, ose më saktë, i misioneve ndërkombëtare administruese dhe mbikëqyrëse në Kosovën e pasluftës, domethënë UNMIK-ut dhe EULEX-it”.

Libri është i ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë përbëhet nga pesë kapituj që diskutojnë në abstrakt rëndësinë, kuptimet, nënkuptimet, por edhe keqkuptimet e nocionit të legjitimitetit dhe nocioneve të ndërlidhura me të, kurse Pjesa e dytë, në pesë kapitujt tjerë, analizon legjitimitetin politik në rastin e Kosovës së qeverisur dhe të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Legjitimiteti politik

“Është thënë se politika është përpjekje për pushtet, pra për të marrë poste të pushtetshme dhe për të ushtruar pushtet. Mirëpo, politika është edhe përpjekje për ta justifikuar pushtetin, pra për ta bërë atë të pranueshëm në sytë e subjekteve që i nënshtrohen atij ose, me një fjalë, për ta legjitimuar atë”, thotë profesori si hyrje në shtjellimin e konceptit më të gjerë të legjitimetit politik.

Pse duhet që pushteti politik të legjitimohet?

Profesori Selaci për AP thotë se “duke qenë se marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet njerëzve janë hierarkike dhe arbitrare, dhe se këto marrëdhënie nuk janë të natyrshme, pushteti, si i tillë, cënon dinjitetin e njeriut, ose “fyen ndjenjën tonë morale”, siç e thotë një teoricien. Andaj, shoqëritë gjithmonë ia nënshtrojnë atë parimeve dhe rregullave justifikuese. Këto parime dhe rregulla kanë të bëjnë me kushtet që arsyetojnë sundimin e sunduesve dhe bindjen e të nënshtruarve ndaj sunduesve. Kjo është çështja themelore kur bëhet fjalë për legjitimitetin politik”.

Ilustrimi grafik nga Eva Bee

Sipas sociologut Selaci “legjitimiteti ka të bëjë me pretendimet për legjitimitet të atyre që e ushtrojnë pushtetin, ndërsa vetë nocioni emërton pranimin e një pushteti nga ana e subjekteve të tij, ose më saktë, arsyet e pranimit të atij pushteti nga subjektet e nënshtruara”.

Rëndësia e studimit të legjimitetit politik

Selaci thotë se rëndësia e legjitimitetit politik vërehet më së miri kur ai legjitimitet mungon.

“Kur një rend politik, udhëheqës a organizatë politike, ose një politikë e caktuar gëzon legjitimitet, duket se punët politike shkojnë lehtë, dhe ne e marrin për të mirëqenë këtë, por kur mungon legjitimiteti ose është i pranishëm në shkallë më të ulët, do të paraqitet nevoja për ta imponuar rendin a politikën e caktuar me forcën e shtetit. Pra, alternativa e legjitimitetit është dhuna e drejtpërdrejtë, detyrimi me forcë si kompenzim për legjitimitetin. Dhe, përdorimi i forcës, siç dimë nga historia politike, ka telashet e veta dhe, për sundimtarët, kosto të lartë”, shpjegon ai.

Por edhe për të sunduarit, thotë Selaci, parimet legjitimuese janë të rëndësishme, sepse mungesa e legjitimitetit bën që pushteti të mos jetë përgjegjës ndaj të sunduarve dhe nuk i nënshtrohet kurrfarë kontrolli nga ana e tyre.

“Pra, të sunduarit vazhdimisht kërkojnë dhe vendosin parime legjitimuese për pushtetin të cilit i nënshtrohen”.

“Studimet mbi legjitimitetin politik na ndihmojnë të kuptojmë këto dinamika që e përshkojnë jetën politike, dhe ky libër përqëndrohet në këto dinamika në kontekstin politik të Kosovës së administruar dhe mbikëqyrur nga strukturat formale të pushtetit ndërkombëtar, UNMIK-u dhe EULEX-i”, shton profesori Selaci.

Mbi rëndësinë e studimit të legjitimitetit të misioneve ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës.

Selaci mendon se është gabim të thuhet se nuk ka kuptim të flitet për legjitimitetin e UNMIK-ut, EULEX-it dhe strukturave të pushtetit formal ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës, pasi ato imponohen nga jashtë dhe udhëhiqen nga struktura e forca të jashtme politike, pra jashtë shoqërisë në t’cilat veprojnë ato, dhe, si t’tilla, ato nuk janë të kushtëzuara nga procese e faktorë politikë lokalë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (/2018/407)

Profesori studimin e tij e konsideron të nevojshëm “pasi, në të vërtetë, misionet ndërkombëtare, si UNMIK-u dhe EULEX-i, operojnë në kontekst të politikës lokale, ku njohja dhe tërheqja e legjitimitetit ndaj tyre nga ana e aktorëve politikë vendorë është pjesë e “lojës” politike dhe përcakton rrjedhat politike në vendet ku veprojnë ato”.

“Për më tepër, duke qenë se këto misione kryejnë rolin e qeverive faktike, atëherë mund dhe duhet të studiohen edhe nga aspekti i legjitimitetit të tyre, pra nëse janë legjitime, a jo; sa janë, sa nuk janë, mbi çfarë bazash pretendojnë legjitimitet ato; si pranohen ose nuk pranohen këto pretendime nga shoqëritë politike dhe civile në të cilat veprojnë ato, e kështu me radhë”.

Kontributi i këtij libri në teorinë politike dhe studimet politike në Kosovë

Selaci thotë se në literaturën e sociologjisë dhe shkencave politike, legjitimiteti është studiuar dhe trajtuar në kontekstin e shtetit, qeverive sovrane dhe politikave vendore, kurse ky libër “është një nga studimet e pakta që karakterizohen me qasje novatore, duke qenë se e nxjer temën e legjitimitetit nga terreni i saj tradicional, domethënë, shteti kombëtar dhe qeveria sovrane, për ta shqyrtuar atë në një kontekst të autoritetit kalimtar ndërkombëtar”.

“Mendoj se pyetja kryesore që shtron libri, pra, si ngritet çështja e legjitimitetit politik në kontekst të administratës ndërkombëtare në rastin e Kosovës dhe çfarë kërkesash ka legjitimiteti në atë kontekst, është një pyetje që nuk ka marrë trajtim të merituar në studimet politike të Kosovës”.

”Gjithashtu, studimi i legjitimitetit në kontekst të administratave të përkoshme ndërkombëtare kërkon shtrirje por edhe modifikim të teorisë ekzistuese, me qëllim të gjetjes së një qasjeje të re të përshtatshme për studimin e legjitimitetit në kontekst të ri”, thotë profesori Selaci.

Selaci shpreson që përveç se libri të jetë një studim empirik i rastit të veçantë siç është rasti i Kosovës, ai të jetë edhe një kontribut teorik në shkencat shoqërore që trajtojnë pushtetin dhe legjitimitetin politik.

Risia e librit

Analiza inherente në këtë libër përbën një kontribut të veçantë në studimin dhe trajtimin e misioneve ndërkombëtare administruese dhe monitoruese në Kosovë, po edhe në përgjithësi të shtetndërtimit të Kosovës.

“Në këto studime mbizotërojnë analizat institucionale dhe paradigma tranzicionale, por në masë të ndjeshme mungojnë analizat shoqërore, siç është analiza e legjitimitetit të misioneve ndërkombëtare dhe të procesit shtetndërtues, që ofrohet në këtë libër”.

“Tjetra është se libri ka një kënd vështrimi që në diskutimin e legjitimitetit nuk përqëndrohet në, ose vetëm në, analizën e legjitimitetit nga jashtë ose ndërkombëtar (që zakonisht analizon krijimin dhe mandatin e administratave ndërkombëtare dhe rezultatet e politikave të tyre), por përqëndrohet edhe në legjitimitetin e brendshëm ose vendor, që shprehet me pranim, besim dhe pëlqim nga ana e shoqërisë në të cilën veprojnë misionet ndërkombëtare shtetndërtuese. Kështu, ky këndvështrim lejon që legjitimiteti politik i misioneve ndërkombëtare të studiohet edhe në nivel vendor”, thotë Selaci për Albanian Post.

Argumenti mbi të cilin ndërtohet ky libër

Selaci shpjegon se pyetjet që ky libër synon t’iu përgjigjet janë ata se Cilat kanë qenë pretendimet e autoritetit ndërkombëtar për legjitimitet; si janë pranuar këto pretendime, dhe mbi çfarë baze është pranuar ose nuk është pranuar autoriteti ndërkombëtar administrativ dhe mbikëqyrës nga ana e shoqërisë politike dhe shoqërisë civile në Kosovë?

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ish-Selia Rajonale në Mitrovicë

“Libri analizon normat e veçanta të legjitimitetit në bazë të të cilave është justifikuar krijimi dhe mandatet e këtyre misioneve ndërkombëtare shtetndërtuese në Kosovë. Përfundimi është se legjitimiteti vendor ose i brendshëm, domethënë nga aktorët politikë vendorë dhe popullata vendore, i këtyre misioneve, konfirmohet për aq sa politikat e tyre shihen si avancuese të aspiratave politike të komuniteteve të shoqërisë, me ç’rast miratimi i aktorëve dhe misioneve ndërkombëtare në vend vjen e shtohet. Në raste të tjera, kur qëllimet e aktorëve vendorë nuk pajtohen me politikat ndërkombëtarë në vend, niveli i miratimit të tyre bie”, thuhet në përgjigjen e Selacit.

Ndër të tjera profesori shpjegon se marrë në përgjithësi, libri ndihmon që të kuptohet në mënyrë kritike dinamika politike vendore në ndërveprim me agjendën ndërkombëtare shtetndërtuese në Kosovë, si dhe zbulon një numër kufizimesh të projektit ndërkombëtar shtetndërtues.

Kritikë e pushtetit ndërkombëtar?

“Për arsye, besoj të njohura, studimet e shtetndërtimit ndërkombëtar mbizotërohen, dhe ndoshta nuk ia teproj nëse them janë të kolonizuara, nga prodhimi i dijes nga provenienca perëndimore, e cila ka vlerat e saja, por edhe kufizimet. Një problem i një pjese të kësaj dijeje është toni orientalist i saj”, thotë profesori Selaci për AP.

Ai thotë se këtë libër e ka shkruar si përpjekje për të zhvilluar diskurs kritik, ose së paku për të çelur horizonte konceptuale për studime kritike të shtetëndërtimit ndërkombëtar.

“Ky libër zë vend në mesin e literaturës kritike në temën e shtetndërtimit ndërkombëtar, që, sado e pakët, ngadalë po shfaq kornizat e një alternative, si me thënë, “post-orienale” të studimeve mbi Europën Juglindore ose Ballkanin. Ia lë lexuesit të vendosë nëse ky libër e meriton atë vend, a jo”, thotë Selaci.

Krejt në fund, profesori dhe sociologu Selaci shpreson se qasja, këndvështrimi, analizat dhe konkluzionet që sjell ky libër të jenë kontribute të vlefshme në këtë drejtim dhe “së paku, do të nxisin studime plotëtsuese ose kritike në temën e legjitimitetit të shtetndërtimit ndërkombëtar, dhe përgjithësisht në studimet politike në rastin e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore