Shqipëria

Legjenda urbane “Spitali vret më shumë se Covid-i”


 “M’i hiqni këto tuba se po më mbysni”, rënkonte Tonini, kur stafi mjekësor i jepte kurën ndaj Coronavirus-it.

Tonini N., 57 vjeç nga Laçi, ka qëndruar i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” për 23 ditë.

Ai zgjodhi të merrte ndihmën mjekësore pas katër ditëve, kur simptomat e Coronavirus-it po krijonin komplikacione në trupin e tij.

“Përgjatë katër ditëve kam pasur një temperaturë të lehtë dhe m’u duk si e parëndësishme t’i drejtohesha spitalit. Ditën e parë e kalova me qetësues, por më pas u shqetësova”, shprehet fillimisht Tonini.

Në qarkun e Lezhës vërehet një tendencë e lartë e qytetarëve për t’u përballur me Coronavirusin në kushte shtëpie. Ata preferojnë t’i drejtohen shërbimit spitalor, vetëm për vizitë mjekësore.

Shtëpia mbetet ende një vend i sigurt për qytetarët, në luftën ndaj armikut të padukshëm.

“Pasi kalova katër ditë shtrirë në krevat, fillova të kisha probleme me frymëmarrjen. Qenë familjarët ata që këmbëngulën që t’i drejtohesha spitalit për një kontroll më të specializuar”, vijon Tonini.

Sipas tij, fjalët që kishte dëgjuar “lart e poshtë” nga mediat apo dhe nga miqtë, ishin arsyeja kryesore pse i trembej kurimit të Coronavirusit tek spitalet shtetërore.

“Kur erdha në spital, mendova ‘nuk do t’i shoh më familjarët e mi, nuk do të dal gjallë nga këtu’. Kisha dëgjuar nga shumë miq se të kurohesh në spitalet Covid, ishte njësoj si të shkoje drejt vdekjes me këmbët e tua. Por unë pashë krejt të kundërtën atje”, thekson Tonini.

Sipas tij, në spitalet Covid, ka “mjekë të përkushtuar”, të cilët shërbejnë me shumë profesionalizëm.

“Çdo mëngjes, vinte shefja e madhe dhe kontrollonte kartelat tona. Ata shihnin sa efekt po më bënin medikamentet, si dhe ecurinë e virusit. Gjithashtu, gjatë natës, mjeku roje na qëndronte në gatishmëri nëse kishim nevojë për gjë. Infermieret na ndihmonin pa përtesë, për nevojat tona bazike”, shprehet Tonini.

Shtëpia, më e sigurt se spitali?

Kjo është një dukuri jo pak e rëndësishme. Vetë qytetarët i kërkojnë mjekut të mos i dërgojnë për kurim në spitalet Covid, por t’i lejojnë të kurohen në shtëpitë e tyre.

Infermierja e pneumologjisë në Spitalin Rajonal të Lezhës, Majlinda Gjoka, është shprehur për Albanian Post, se shumë qytetarë kanë frikë të shtrohen për kurim në spitale shtetërore. Kjo vjen si pasojë e “dezinformimit me lajme të rreme”.

“Shumë qytetarë mendojnë se spitalet nuk kanë kushtet e përshtatshme për të kuruar pacientët me Covid-19 dhe kjo është për të ardhur keq”, shprehet infermierja.

Sipas saj, shumë persona të prekur nga Covid-i po vdesin në kushte shtëpie.

“Në shtëpi, qytetarëve u mungon oksigjeni dhe aparaturat e tjera të nevojshme. Në këtë mënyrë është shumë e vështirë të kurohet kjo sëmundje”, vë theksin ajo.

Gjoka tregon sesi qytetarët kërkojnë me ngulm të mos shtrohen në spitale, madje tregojnë rezistencë kur u sugjerohet t’u drejtohen spitaleve Covid në Tiranë.

“Spitalet kanë furnizime të mjaftueshme me oksigjen, që është baza e kurimit të Coronavirusit. Gjithashtu medikamentet e tjera, të nevojshme për të përballuar këtë pandemi janë të disponueshme për çdo pacient të prekur nga ky virus”, ka treguar për Albanian Post, Majlinda Gjoka.

Ajo është shprehur e indinjuar për “përbaltjen” që shumë media joserioze po i bëjnë figurës së mjekut dhe infermierit. Në fund, Gjoka thekson se nuk duhet gjykuar i gjithë stafi mjekësor vetëm nga një rast i turpshëm që u bë i njohur kohët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore