Sport

Leeds transferon zëvendësuesin e Raphinha-s


Skuadra angleze, Leeds United, ka punuar menjëherë për ta gjetur zëvendësuesin e Raphinha, të cilin do e shesë te Chelsea për 60 milionë euro.

Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, Leeds ka arritur marrëveshje me skuadrën e Feyenoord-it për transferimin e mesfushorit ofensivë, Luis Sinisterra.

Mediat në Angli raportojnë se Leeds-it do t’i kushtojë kjo blerje 25 milionë euro, derisa holandezët e transferuan atë për vetëm 2 milionë euro në verën e vitit 2018 nga skuadra kolumbiane, Once Caldas.

Sinisterra shkëlqeu sezonin e kaluar me skuadrën nga Roterdami. Ai shënoi 18 gola dhe dhuroi 11 asistime, duke dhënë një kontribut të madh në arritjen e Feyenoord-it në finalen e Conference League në “Air Albania” përballë Romës.

Ndërkohë, drejtuesit e Leeds-it kanë piketuar edhe pasuesin e Kalvin Phillips, i cili u shit te Manchester City.

Ai është amerikani Tylor Adams, për kartonin e të cilit do të paguhen 20 milionë euro në arkat e klubit gjerman, Leipzig.

Objektivi i radhës për klubin anglez është futbollisti i Club Brugge, Charles De Ketelaere, i cili gjithashtu është një objektiv e italianëve të Milan-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore