Shqipëria

Lea Ypi ironizon me Braverman: Ftoi delegacionin shqiptar për “çaj mali” në Home Office


Mendimtarja shqiptare Lea Ypi ka “fituar” 1 prillin, ditën e gënjeshtrave dhe shakave ndaj njëri-tjetrit dhe protagoniste e këtij triumfi në media sociale ishte Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman.

Shkak për këtë është bërë një status në Twitter i profesoreshës në teorinë politike në “London School of Economics”.

“Sapo mora një telefonatë nga Suella Braverman, e cila me sa duket po telefonon anëtarë të përzgjedhur të diasporës shqiptare për të thënë se i vjen keq për komentet e saj dhe për gjithçka që ato kanë çuar, dhe për të ftuar një delegacion për çaj mali në Home Office”, shkruan Ypi.

Ajo zgjodhi të ironizojë me figurën më të diskutuar të momentit në komunitetin shqiptar në Britani duke i kujtuar faktin se ende nuk ka kërkuar ndjesë për komentet e saj ndaj emigrantëve.

Ndërsa detaji më interesant është çaji i mali duke e lidhur me historinë e pazakontë të Agim Agajt, një 53-vjeçari shqiptar.

Ky i fundit, u mbajt i ndaluar për 15 orë nga Policia britanike sepse me vete kishte çaj mali dhe u ngatërrua prej policëve me hashashin.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Chatham House” se Braverman, duke theksuar se e dinte se kishte gabuar kur i quajti shqiptarët kriminelë, nuk kërkoi kurrë falje.

“A mendoni se Suella Braverman nuk e dinte që ajo po thoshte diçka të gabuar. Politikanët thonë gjëra të gabuara dhe pendohen më vonë, më ka ndodhur edhe mua. Ndonjëherë fjalët ikin, por pastaj vjen e nesërmja, vjen java tjetër dhe ti gjen një mënyrë për të kërkuar falje. Asnjëherë nuk ka thënë falje sepse nuk i vjen keq”, theksoi kreu i Qeverisë.

Historiku i 1 prillit

1 prilli njihet si dita e gënjeshtrave, apo më mirë si dita e shakave në shumë vende të Europës.

Nga e ka origjinën kjo ditë? Të shumta janë teoritë. Më e vjetra që njohet lidhet me Romakët e Lashtë, të cilët në këtë datë festonin një festë luksoze për nder të perëndeshës Venus.

Një tjetër teori është ai i Parlamentit të Augsburgut, i vitit 1530, me anë të të cilit duhej të unifikohej i gjithë sistemi monetar. 1 prilli u caktua si dita e posaçme e monedhës, por që pak orë para kësaj dite u shty.

Kështu, shumë persona i humbën paratë e tyre, duke u tallur e përqeshur. Por, ajo që besohet të jetë origjina lidhet me shakanë e 1 prillit vjen nga mbreti francez, Karli IX.

Kjo datë dikur festohej si dita e Vitit të Ri, por me ndryshimin e kalendarit nga Julian në Gregorian, në 1582 nga Papa Gregory XIII, dita e Vitit të Ri u vendos më 1 janar.

Por disa njerëz vazhdonin të gënjenin veten dhe e festonin këtë ditë më 1 prill, ndërsa të tjerët talleshin me ta.

Profesori i historisë dhe studimeve etnike në Boston, Joseph Boskin, thotë se kjo ditë e ka prejardhjen gjatë periudhës së sundimit të Kostantinit, kur një shakaxhi me emrin Kugel i tha perandorit se ai mund ta drejtonte më mirë perandorinë.

Kostantini e mori me shaka këtë gjë dhe e lejoi Kugel-in të bëhej perandor për një ditë, ditën e 1 prill-it, të cilën Kugeli e shpalli ditën e gënjeshtrave.

Megjithatë kishte rregulla të pashkruara , mbi të cilat ishin të bazuara shakatë. Kështu, një i rritur mund të bënte shaka me një fëmijë, por një fëmije nuk u lejohej të bënte shaka me një të rritur.

Ky shpjegim u publikua në vitin 1983 nga Associated Press, por kishte një problem, Boskin e kishte trilluar këtë gjë për të bërë një shaka për 1 prillin.

Associated Press iu desh disa kohë që ta kuptonte që kjo ishte gënjeshtër dhe t’i kërkonte falje lexuesve. Sot 1 prilli festohet në Europë si Dita e Gënjeshtrave dhe njerëzit bëjnë rrengje dhe shaka me njëri-tjetrin.

Por, sipas sociologëve e psikologëve, në jetën e përditshme, shakatë janë bërë të rralla, kjo për shkak të presionit dhe ritmit të punës. Ata që e festojnë më shumë janë francezët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore