Lajme

LDK-ja zgjedh kryetarin më 14 mars


“Sot kryetari në dorëheqje e ka ftuar mbledhjen e Kryesisë për Kuvendin Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK’së. Kemi diskutuar për datën 14 mars kur pritet të jetë data për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor për caktimin e kryetarit të ri. Ne kemi filluar përgatitjet për mbarëvajtjen e Kuvendit me 14 mars të këtij vitit”, ka thënë Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Ai tha se Isa Mustafa ka ofruar dorëheqjen ndërsa se kryesia “është teknikisht në dorëheqje por Këshilli i Përgjithshëm e ka caktuar dhe deri në zgjedhjet e ardhshme qëndrojnë në këto pozita”.

Poa shtu Abrashi theksoi se ditëve në vijim do të kenë takime edhe me kryetarët e degëve të LDK-së dhe me Kryesinë për emrat e mundshëm për kryetar të LDK-së.

Ish-kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte ofruar dorëheqje nga pozita e të parit të partisë para dhjete dite.

Mustafa në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së pati thënë se “në shenjë të respektimit të votës së qytetarëve sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërrasë kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore”.

Ai ishte shprehur i zhgënjyer me rezultatin, duke e konsideruar si “shumë i keq”.

“Personalisht mendoj që rezultati është shumë i keq dhe nuk e kam pritur fare, duke marrë parasysh takimet në terren dhe fushatën e Hotit”, tha Mustafa në konferencë për media.

Përveç Mustafës, dorëheqje patën dhënë edhe kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore