Lajme

LDK-ja e sheh të papranueshme mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, thotë Abdixhiku


Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh si krejtësisht të papranueshme që të lejohet mbajtja e Referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kështu është shprehur kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi të shkurtër në llogarinë e tij në Facebook, në kohën kur ambasadorët e QUINT-it në Kosovë po kërkojnë lejimin e këtij referendumi dhe në anën tjetër qeveria nuk e ka lejuar organizimin e votimit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan Abdixhiku.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, përfundon statusi i tij.

Njëjtë si Abdixhiku, ka thënë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një prononcim për Albanian Post.

“Shkelje flagrante e sovranitetit”, ka thënë ai, pos tjerash, se është mbajtja e këtij referendumi me 16 janar.

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore