Lajme

LDK-ja “do evitojë çdo lloj pengese” në zgjedhjen e presidentes


Vjosa Osmani

Vjosa Osmani me shumë gjasë do të zgjedhet presidentet e Kosovës në seancën e ardhshme parlamentare, ashtu siç kishte paralajmëruar Albanian Post, meqë edhe në takimin e fundit të zhvilluar nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është vendosur që LDK-ja të “evitojë çdo lloj pengese”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani i kanë votat e mjaftueshme për ta votuar presidentin/en (shumicën e thjesht në rrethin e tretë të votimit – 61 vota), por u duhen së paku 80 deputetë në sallë gjatë kohës së votimit për të krijuar kuorumin, pa të cilin s’bëhet votim fare.

Nëse LDK-ja qëndron brenda me 15 deputetët e saj, atëherë kaq do mjaftonin për Osmanin.

Dhe, siç la të kuptohet Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së, në paraqitje për media, LDK do të qëndrojë.

“Në ndërtimin e institucionit të presidentit LDK-ja do të eviton çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese me rolin e vet konstruktiv dhe pozitiv në funksion të stabilitet në mënyrë që të përmbyllet cikli i zgjedhjeve dhe funksionimit të institucioneve”, tha Haziri.

“Mandej të ecet përpara me agjendë politike, e cila do jetë pjesë e angazhimeve tona opozitare”.

Haziri u pyet nga gazetarët për një përgjigje më të drejtpërdrejtë, por u mjaftua me kaq. Tha se është mjaftueshëm i qartë.

Megjithatë, tregoi se ka mbetur një tjetër takim për t’u bërë. Ai i kryesisë me deputetët e partisë.

“Kryetari i LDK – edhe lidershipi – nesër takohet me deputetët”.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, në prononcim për gazetar pas mbledhjes së kryesisë

Haziri pohoi se “ne do të vazhdojnë debatin me deputetët në mënyrë që pjesëmarrja në seancë dhe përfaqësimi i LDK-së në atë seancë të jetë në frymë kushtetuese duke evituar çdo lloj obstruksioni eventual institucional dhe duke krijuar frymë për një stabilitet politik në Kuvend”.

Haziri tha se vendimi i LDK-së është veç i tyre dhe s’ka të bëjë me partitë e tjera parlamentare.

“Nuk flasim me partitë e tjera, nuk kemi asnjë lloj përgjegjësie dhe asnjë lloj garancioni për të tjerët, përveç për rolin tonë”.

Me Osmanin presidente, Albin Kurtin kryeministër dhe kryeparlamentar Glauk Konjufcën, shënohet hera e parë  në historinë institucionale të Kosovës, ku që të tri pozitat kyçe të shtetit të zihen nga persona të së njëjtës parti politike (Osmani ka garuar brenda listës së Vetëvendosjes).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore