Lajme

“LDK iu dëgjon” – A e ka filluar fushatën elektorale Lumir Abdixhiku?


Lumir Abdixhiku ne Viti

Kosova nuk është në vit zgjedhor, mazhoranca në Kuvend është stabile, opozita shumë më e vogël me numra dhe ndonjë protestë gjithëpopullore kundër qeverisë s’ka ndodhur, por një tubim i madh i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti ka dhënë shijen e një fushate elektorale.

Këtë të shtunë në mesditë Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, u kanë folur njerëzve të mbledhur në një objekt të madh diku në Viti.

Me një slogan të ri, podium në mes dhe me mesazhe politike, Abdixhiku u ka thënë simpatizantëve se përkundër humbjes së votave dy vjet më parë në zgjedhje, tani trendi është rikthyer për mbarë.

“LDK ju dëgjon” është slogani me të cilin Abdixhiku ka filluar turin.

“Sado e gjatë të jetë rruga përpara, Lidhja është në drejtim të mbarë”, tha pos tjerash ai, duke shtuar se “nëse dy vjet më parë mbetëm pak, tani çdo ditë po bëhemi më shumë”.

E gjithë kjo, sepse “po dëgjojmë, po flasim e po qëndrojmë përballë popullizmit”.

“Ndryshimi ynë i mbarë është forcim. Forcimi ynë i ri është ndryshim për Kosovën”, ishte mesazhi për qytetarët në Viti.

Pas tubimit, Abdixhiku ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për “masivitetin e paraqitjes”.

Veç një ditë para këtij takimi, Abdixhiku vizitoi një kompani të madhe private në Kosovë, për të folur për mundësitë e tyre të zhvillimit, cilësinë e produkteve dhe kapacitetin punëdhënës.

Para këtij takimi, ai pati bashkëbisedim me sportistë të rinj të Kosovës.

Kurse, si në një kohë tipike të fushatave zgjedhore, lajmëroi ekonomistin dhe ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, si aderimin e fundit në parti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore