Përballje

Lazio mposhtet nga Galatasaray, fitojnë West Ham, Leverkusen dhe Betis


Kanë përfunduar ndeshjet e para të xhiros së parë të grupeve në Ligën e Evropës.

Gola, emocione dhe befasi prodhuan këto takime që filluan në ora 18:45, ku ndoshta befasia më e madhe ishte humbja Lazio-s me rezultat 1:0 në udhëtim te skuadra turke Galatasaray.

Në fakt fitoren turqve ia dha portieri i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, i cili bëri një gabim trashanik në golin e vetëm të takimit, duke shënuar autogol.

Gola dhe spektakël pati edhe në Sevilla, aty ku skuadra e Betis-it e mposhti ekipin skocez, Celtic me rezultat 4:3.

Golin e parë në këtë takim e shënoi futbollisti kosovar, Albian Ajeti, i cili kaloi Celtic-un në epërsi në minutën e 15-të.

Kroati Juranovic më pas dyfishoi epërsinë për ekipin skocez në minutën e 27-të, por reagimi i spanjollëve erdhi në pjesën e parë, pasi ata barazuan shifrat me dy golat e shënuar nga Miranda në minutën e 32-të dhe Junami në të 35-tën.

Me të filluar pjesa e dytë, vendasit realizuan edhe dy gola në minutat 51 dhe 53 me autorë Iglesias dhe Junami për rezultatin 4:2 dhe e vetmja që arriti të bëj Celtic, ishte të shënojë edhe një gol në minutën e 87-të për rezultatin përfundimtar 4:3.

Në ndeshjen e zhvilluar mes Bayer Leverkusen dhe Ferencvarosh, ishte skuadra gjermane që fitoi ndeshjen me rezultat 2:1.

Të parët që kaluan në epërsi ishin hungarezët, por Leverkusen reagoi në pjesën e parë duke barazuar rezultatin, më pas në minutën e 69-të shënuan golin e fitores.

Në këtë ndeshje, sulmuesi i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni u inkuadrua në lojë në minutën e 66-të.

Në ndeshjen tjetër, skuadra angleze West Ham shënoi fitore në udhëtim te Dinamo Zagreb, me shifrat 0:2.

Golat në këtë ndeshje u realizuan nga një në secilën pjesë, nga Antonio dhe Rice.

Në takimet tjera, Crvena Zvezda shënoi fitore ndaj Braga-s me rezultat 2:1, Marselle barazoi në udhëtim 1:1 te Lokomotiva e Moskës, Midtjyelland barazoi 1:1 me Ludogorets dhe Genk fitoi në udhëtim te Rapid Viena me rezultat 0:1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore