Lajme

Lavrov takim zyrtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Dodik i dhuron ikonën ortodokse 300-vjeçare të Ukrainës


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u prit në takim zyrtar nga anëtari serb i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Gjatë kësaj vizite, Dodik i dhuroi Lavrov-it një ikonë ortodokse 300-vjeçare, pjesë e trashëgimisë kulturore të Ukrainës. Kjo dhuratë shkaktoi pakënaqësi për ambasadën ukrainase në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila kërkoi një shpjegim zyrtar nga presidenca.

Në vizitën zyrtare, ministri i jashtëm rus nuk u prit nga anëtari kroat i presidencës Željko Komšić dhe anëtari boshnjak Šefik Džaferović. Ata e quajtën mungesë respekti nga ana e ministrit rus vendimin që vizitën e tij të parë ta zhvillonte në pjesën serbe ndërkohë që duhet të ishte Sarajeva ndalesa e tij e parë zyrtare. Anëtarët përmenden gjithashtu mungesën e pranisë së flamurit boshnjak në këtë takim dhe deklaratat për NATO-n duke i konsideruar si sinjale diplomatike nga ana e ministrit Lavrov.

“Ne nuk jemi dakort të bëhemi pjesë e lojërave dhe konflikteve ruse në Ballkan me vendet e
BE-së apo NATO-s”
– deklaruan për mediat dy anëtarët e presidencës.

Lavrov u ndal tek Marrëveshja e Daytona-s gjatë deklaratave te tij zyrtare.

“Do të deshiroja të permendja se çdo përpjekje për të prishur Marrëveshjen e Daytona-s mund të shkaktojë rreziqe dhe pasoja serioze” – u shpreh Lavrov.

Ndërkohë në një tweet të gazetarit boshnjak Aleksandar Brezar u hodhën hije dyshimi që kjo ikonë mund të jetë vjedhur gjatë konfliktit të Donbass-it, ku shumë serbë të Bosnjës kanë marrë pjesë përkrah forcave separatiste ruse.

Kriza politike në rajonin Donbass daton që nga nëntori i vitit 2013, kur qeveria ukrainase pezulloi përgatitjet për një Marrëveshje Asocimi dhe Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me BE-në, duke çuar në protesta masive në kryeqytetin e Kievit dhe përmbysjen përfundimtare të Presidentit Viktor Janukoviç në shkurt 2014. Pas këtij ndryshimi politik në Kiev, demonstratat e udhëhequra nga anti-qeveritarë, separatistët pro-rusë u përleshën me ushtrinë ukrainase dhe grupet paraushtarake në mars të vitit 2014, duke filluar një luftë të plotë për kontrollin e rajonit të Donbass-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore