Lajme

Lavrov anulon vizitën në Serbi


Sergei Lavrov nuk do të udhëtojë për në Serbi dhe ky është një vendim përfundimtar.

Mbyllja e kufijve ajrorë nga ana e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e ka detyruar kryediplomatin rus të shtyjë vizitën e planifikuar në Beograd dhe fajtorë për këtë gjë, Kremlini ka bërë vendet perëndimore.

Zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka cilësuar lëvizjen e këtyre vendeve si “një tjetër kanal i mbyllur i komunikimit”.

Takimi i Lavrovit pritej të ishte i drejtpërdrejtë me presidentin serb, Alexander Vuçiç, ku një sërë çështjesh me rëndësi pritej të trajtoheshin.

Mirëpo, gjeneza e mbylljes së hapësirave ajrore për Rusinë, i ka rrënjët që në muajin e parë të post-agresionit rus, pasi vendet ballkanike (përveç Serbisë vetë), vendosën të ndiqnin linjën politike të Perëndimit, duke mbyllur hapësirat ajrore për Rusinë dhe duke e izoluar praktikisht atë nga Beogradi, si një rrymë komunikimi më direkte.

Vizita, do të vinte edhe pas rizgjedhjes së Vuçiçit në kry të shtetit serb në prill, në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën aty.

Lideri serb ka qenë në presion të vazhdueshëm për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Moskës, pasi Beogradi ka shfaqur shpesh dyzim mbi cilën anë duhet të rreshtohet. Kjo, edhe në bazë të lidhjes historike që serbët dhe rusët kanë njëri me tjetrin.

Pavarësisht se në disa rezoluta të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vota e Serbisë ka qenë pro perëndimit, sanksione konkrete kundër Kremlinit nuk janë marrë.

Në fakt, Beogradi është ndër të paktat diplomaci evropiane, që ruan ende kontakte pozitive me Moskën.

Gjithashtu, varësia e madhe që serbët kanë ndaj gazit rus e komplikon edhe më tej situatën. Vuçiç pati ditë më parë një telefonatë me Putinin, pikërisht për çështjen e gazit, ku u garantua se do të ketë furnizim për serbët me një çmim shumë të volitshëm për tregut.

Megjithatë, sa i përket vizitës së Lavrovit, asgjë nuk ishte në dorën e presidentit serb, për t’ë ndryshuar rrjedhën e gjërave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore