Lajme

Laureatët e Çmimit Nobel për Paqen: Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov


Çmimi Nobel për Paqen i vitit 2021 u jepet dy gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, të cilët e fitojnë atë mbi “përpjekjet për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.

Njoftimi u bë i ditur ditën e sotme të së premtes së 8 tetorit, në Oslo, nga kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobel-it, Berit Reiss-Andersen.

Duke shpallur çmimin, ajo ka thënë se “gazetaria e pavarur dhe e bazuar në fakte shërben për t’u mbrojtur kundër abuzimit të pushtetit, gënjeshtrave dhe propagandës”.

Gjithashtu ka vijuar se “pa lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, do të jetë e vështirë të promovohet me sukses vëllazëria mes kombeve, çarmatimi dhe një rend më i mirë botëror për të pasur sukses në kohën tonë”.

Dy fituesit e morën këtë njohje lidhur me angazhimin e tyre për “mbrojtjen e lirisë së fjalës, një kusht themelor për demokracinë dhe paqen”.

Vitin e kaluar, çmimi i shkoi Programit Botëror të Ushqimit për përpjekjet e tij në luftën kundër urisë botërore.

Dmitry Muratov është një gazetar rus dhe kryeredaktor i gazetës “Novaya Gazeta”, e përshkruar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve si “gazeta e vetme me të vërtetë kritike dhe me ndikim kombëtar në Rusi”.

Muratov ka fituar edhe Çmimin Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit në 2007 për guximin e tij në mbrojtjen e lirisë së shtypit përballë sulmeve, kërcënimeve dhe burgimit.

Ndërsa Maria Ressa është një gazetare dhe autore filipino-amerikane, bashkëthemeluese dhe shefe ekzekutive e faqes së lajmeve “Rappler”, e cila kaloi afro dy dekada si reportere investigative në Azinë Juglindore për agjencinë e lajmeve “CNN”.

Këtë vit ishin mbi 300 nominime.

Çmimi Nobel për Paqen është i vetmi që jepet në Norvegji, dhe jo në Suedi, dhe është gjithashtu i vetmi që mund t’u jepet organizatave dhe jo vetëm individëve.

Ai do të tërhiqet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së krijuesit të tij, Alfred Nobel.

Dy gazetarë Maria Ressa dhe Dmitry Muratov fitojnë Çmimin Nobel për Paqen -

Çmimi shkon për dy gazetarë

Reiss-Andersen ka ravijëzuar se dy laureatët e merituan çmimin “për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe Rusi”.

Ajo ka shtuar se ata “përfaqësojnë të gjithë gazetarët, të cilët janë të përkushtuar ndaj këtij ideali në një botë që vendos kushte që janë gjithnjë e më të pafavorshme për demokracinë dhe lirinë e shtypit”.

Për Muratov, marrja e çmimit ka qenë e papritur, duke e cilësuar atë si “çmenduri”.

“Jam duke qeshur. As nuk e prisja”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka shtuar se “ne do të vazhdojmë të përfaqësojmë gazetarinë ruse, e cila tani është duke u shtypur. Kjo është e gjitha. Ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që tani janë etiketuar si ‘agjentë të huaj’, të cilët po sulmohen dhe dëbohen nga vendi.

Ndërkohë, Ressa ka thënë pas marrjes së çmimit se “kjo jam unë, ky është edhe ‘Rappler’…e kam thënë dhe e kemi thënë se po luftojmë për fakte”.

Ajo ka vijuar se “në një betejë për faktet, mendoj se ajo që sapo tregoi komiteti i Çmimit Nobel për Paqen është se një botë pa fakte, do të thotë një botë pa të vërteta dhe besim”.

“Dhe kur jetojmë në një botë ku faktet janë të diskutueshme…atëherë gazetaria bëhet aktivizëm”, ka ravijëzuar Ressa.

Për të, ky është edhe transformimi i kaluar në “Rappler”, se si të mbahet në jetë misioni i gazetarisë.

Kush është Maria Ressa?

58-vjeçarja Maria Ressa, gazetare veterane e Filipineve, është kthyer në simbol të luftës për lirinë e shtypit në një epokë të udhëheqësve të fortë.

Ish-reporterja e “CNN” krijoi në vitin 2012 faqen e lajmeve “Rappler”, duke bashkuar raportimin multimedial dhe mediat sociale për të ofruar një vështrim të gjerë mbi ngjarjet aktuale të Filipineve dhe një sy kritik ndaj qeverisë së presidentit Rodrigo Duterte.

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel për Paqen - Top Channel

Vetë Ressa dhe “Rappler”-i i saj janë përballur me akuza dhe hetime të shumta penale, pasi publikuan histori kritike për Duterte dhe luftën e tij të përgjakshme të drogës.

Në vitin 2018, ajo është emëruar si Personi i Vitit për punën e bërë në lirinë e shtypit, por arrestimet rritën më tej profilin e saj ndërkombëtar dhe tërhoqën më shumë vëmendje për rastin e saj.

Raportimi i saj ka nxitur një seri akuzash penale, dy arrestime dhe kërcënime të panumërta në internet kundër saj dhe “Rappler”.

Faqja është dashur të luftojë për mbijetesë, pasi qeveria e Duterte e ka akuzuar atë për shkelje të një ndalimi kushtetues mbi pronësinë e huaj në sigurimin e fondeve, si dhe shpifje dhe evazion fiskal.

Gjithashtu ai e ka sulmuar faqen për lajme të rreme, nisur nga një histori për një nga ndihmësit e tij më të afërt.

Pavarësisht rreziqeve që iu kanosën, Ressa ka qëndruar në Filipine dhe ka vazhduar të flasë kundër qeverisë së Duterte.

Rasti i Dmitry Muratov

Nga ana tjetër, “Novaya Gazeta” e Dmitry Muratov u vlerësua nga Komiteti Nobel për mbulimin e një sërë temash, përfshirë dhunën në polici, arrestimet e paligjshëm, mashtrimet elektorale dhe trollet, si dhe përdorimin e forcave ushtarake ruse brenda dhe jashtë Rusisë.

Gjashtë nga gazetarët e tij janë vrarë gjatë kryerjes së punës së tyre dhe botimi është pritur me ngacmime, kërcënime dhe dhunë.

“Pavarësisht vrasjeve dhe kërcënimeve, kryeredaktori Muratov ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës”, ka theksuar komiteti.

Gjithashtu ka vijuar se “ai ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar gjithçka që duan për çfarëdo që duan, për sa kohë që ata përputhen me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore