Lajme

Latifi: Zbehja e kujdesit ndaj COVID-19, rrezik real


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Rritja e rasteve me COVID-19 në Kosovë ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të dalë me një mesazh për qytetarët.

Latifi, në mesazhin drejtuar qytetarëve, thotë se variantet e reja dhe zbehja e kujdesit ndaj virusit përbëjnë një rrezik real për ne dhe familjet tona.

“Variantet e reja dhe zbehja e kujdesit ndaj virusit, përbëjnë një rrezik real për ne dhe familjet tona. Sidomos për ata që nuk janë vaksinuar ende. Kjo mund të sjellë vështirësi të tjera për personelin shëndetësor dhe të kthejnë pamjet dhe përjetimet e rënda në spitalet tona”, ka thënë Latifi.

Ai pohon se rezultatet e fundit kanë treguar se pandemia nuk ka përfunduar.

“Ajo që kemi parë ditëve të fundit, ku rastet e COVID-19 janë rritur, na dëshmon të gjithëve se pandemia nuk ka përfunduar dhe ne kemi ende rrugë për të bërë deri në fundin e saj”.

Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, ka thënë se e vetmja zgjidhje është kujdesi.

“Prandaj, na duhet patjetër ta rrisim kujdesin, për të evituar kthimin e kufizimeve të rënda, të cilat nuk i do askush nga ne, por që në situata të caktuara imponohen”.

Latifi ka adresuar mesazh edhe te mërgimtaret që, gjatë muajve të ardhshëm, pritet të vijnë në Kosovë.

“Ju lusim që t’i shfrytëzoni mundësitë e ofruara në vendet prej nga vini dhe të vaksinoheni. Nëse se keni bërë këtë, do t’u ofrojmë çdo mundësi që vaksinën të marrin në Kosovë, për të pasur pushime të rehatshme e të shëndetshme”.

Sipas kreut të dikasterit të shëndetësisë, ka vende, të cilat akoma nuk e kanë një shkallë të vaksinimit të kënaqshme.

“Mos ta harrojmë faktin, se përkundër suksesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, ka ende vende ku vaksinimi është i ulët. Prandaj, më të sigurt, do të jemi vetëm atëherë kur secili nga ne, e bën atë që duhet bërë përballë virusit: zbatimin e masave të kujdesit dhe vaksinimin e plotë. Për ta parandaluar infeksionin, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet”.

Latifi shton se, “shëndeti është vlera më e madhe për çdo njeri, prandaj ta vlerësojmë, ruajmë dhe të kujdesemi për të!”.

Më 30 qershor, sërish është shënuar numër i madh i të infektuarve.

Brenda 24 orëve, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se janë regjistruar 149 raste pozitive.

Numri i të infektuarve vjen nga 986 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore