Lajme

Latifi thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën përforcuese


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, ka kërkuar nga qytetarët që të marrin edhe dozën e tretë përforcuese të vaksinës antiCOVID-19.

Ai ka thënë se ekziston mundësia që edhe personat që kanë marrë tri doza të ri-infektohen me COVID-19, mirëpo sipas tij virusi tejkalohet më lehtë.

“Nëse dikush është vaksinuar me dy doza duhet ta marrë edhe dozën përforcuese. Unë e kam marrë edhe vet, secili duhet ta marrë edhe vaksinën e tretë. Edhe ata që kanë marrë vaksinën mund të sëmuren”.

I pari i shëndetësisë ka thënë se edhe nëse vazhdohet të rritet numri i rasteve këtyre ditëve, ai është i bindur se institucionet shëndetësore kanë me bollëk vaksina, oksigjen e shtretër.

Latifi ka folur edhe për pasojat që lë virusi.

“Kemi mjaft vaksina, oksigjen shtretër për pacientë. Ne nuk i dimë pasojat e gjata të Omicron. Ne i dimë pasojat që COVID-i ka lënë. Është një grup i njerëzve që mund të kenë pasoja në mushkëri”, ka thënë Latifi për EkonomiaOnline.

Masat duhet të merren në bashkëpunim me të gjitha dikasteret e qeverisë dhe ministritë duhet të marrin masat e përbashkëta, edhe sa i përket mbylljes ose jo të shkollave ka thënë Latifi.

Është e rëndësishme ruajtja e shëndetit mendor të fëmijëve, duke shtuar se nëse mbyllen shkollat duhet të mbyllen të gjitha aktivitet e tjera është shprehur ai.

“Fokusi i ministrisë është se me të gjitha dikasteret e qeverisë edhe ministritë t’i planifikojmë dhe të marrim masat e përbashkëta. Kujdesi ndaj fëmijëve është ndër më të rëndësishmit që ne mund të bëjmë ne vendin tonë”.

“Veçmas duhet ta ruajmë aftësinë që fëmijët të shkollohen, por edhe shëndetin mendor të tyre. Secila shkollë e komunë do të bisedojnë për masat që duhet marrë. Tash për tash do ta koordinojmë me Ministrinë e Arsimit”, ka thënë Latifi për EO.

Ai shprehet i bindur se nuk do të ketë mbyllje totale të shkollave.

“Unë nuk besoj se duhet të mbyllen shkollat. Nëse mbyllim shkollat duhet të mbyllim të gjitha aktivitet e tjera”.

“Shkollat janë të fundit që duhet të mbyllen, por duhet të marrim masa që në shkollë fëmijët të jenë të sigurt të vaksinuar”, ka thënë Latifi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore